2010-07-02 18:44:57

Për të përkujtuar Nënë Terezën, në Indi 26 gushti do të jetë “Dita kombëtare e jetimëve”.


Me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Nënës sonë Terezë, 26 gushti, do të shpallet nga qeveria indiane “Dita kombëtare e jetimëve”. I është drejtuar, gjithashtu, OKB-së kërkesa, me shpresë se do të pranohet, për të themeluar një Ditë Botërore kushtuar jetimëve.
Vetëm dy muaj para datës së njëqindvjetorit, kujton agjensia Fides, qeveria dhe Kisha indiane po bëjnë të gjitha përpjekjet të dalin faqebardhë në kremtimet e kësaj ditëlindjeje të madhe, që do të përkujtohet edhe nga shumë vende të tjera të botës e, natyrisht, edhe nga shumë njerëz, që e njohën Nënë Terezën ose që jetojnë ende, falë impenjimit të saj.
Kremtimet do të hapen me një Meshë solemne, kryesuar nga kardinali Telesfor Topo, pranë Shtëpisë Nënë të Misionareve të Bamirësisë, në Kalkutë. Mesha do të fillojë në orën 6.30 të mëngjesit. E pranishme, edhe motër Prema, rregulltarja gjermane, Eprore e përgjithshme e Urdhërit të themeluar nga e Lumja Terezë.
Delhi, kryeqytet i vendit, do të lartohet një munument kushtuar Nënë Terezës, e emri i saj do t’i jepet njerës prej sallave më të njohura të takimeve e të konferencave.
Presidenti indian, Pratibha Patil do të marrë pjesë në një veprimtari solemne, që do të organizohet në Delhi, më 28 gusht, ndërsa qeveria do të presë një monedhë përkujtimore, me fëtyrën e së Lumes.
Por nuk janë këto, të vetmet nisma, në përkujtim të një Gruaje kaq të madhe, që la pas një vazhdë të ndritur e të paharrueshme. Veprimtaritë janë tejet të shumta. Organizohen sa nga simotrat e saj, ashtu edhe nga mbarë Kisha indiane, posaçërisht nga kryedioqeza e Kalkutës,
Komiteti i posaçëm i kremtimeve, i kryesuar nga kryeipeshkvi i Kalkutës, imzot Lukas Sirkar, ka hartuar një program me veprimtari tejet të pasura liturgjike e kulturore.
Më 17 gusht do të fillojë një nëntëditsh, që do të zgjasë deri më 25 gusht e do të arrijë kulmin me festën e së Lumes, më 5 shtator, kur kremtimin solemn eukaristik do ta kryesojë vetë Nunci Apostolik në Indi, imzot Salvator Penakio
Vlojnë përgatitjet edhe për t’i dhënë dorën e fundit veprimtarive kulturore: parashikohet të hapet një ekspozitë endacake, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës, një simpozium ndërkombëtar (më 4 shtator, në Kalkutë), një ekspozitë fotografike (nën kujdesin e fotografit të njohur Raghu Rai), një festival filmi, një konkurs artistik e një tjetër, për jetën e së Lumes.
Për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës, gruas që meritoi dashurinë e gjithë botës, më 10 shtator, në Shtëpinë-nënë, në Kalkutë, do të mbahet një kremtim i posaçëm ndërfetar, me pjesëmarrjen e besimtarëve të bashkësive të ndryshme fetare, nga India e vise të tjera të botës.E tepërt, megjithatë po e kujtojmë: Nënë Tereza, që e pranoi botërisht dhe e nderoi vazhdimisht e në mënyrë të jashtëzakonshme, gjakun shqiptar, lindi më 26 gusht 1910, në Shkup e ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në Kalkutë. Ishte ora 19. 30.







All the contents on this site are copyrighted ©.