2010-07-02 15:55:35

Nga shpërthimi në Mitrovicë, një serb i vrarë, 11 të plagosur


Një person ka vdekur dhe 11 janë plagosur nga shpërthimi në veri të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur rreth një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve. I vdekuri është doktori Mehsud Gjekoviq, banor i Lagjes së Boshnjakëve. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë rajonale në Mitrovicë, Ergin Mediq. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se përveç shpërthimit, janë regjistruar edhe të shtëna me armë zjarri.
"Në orën 10, në kohën kur është mbajtur kjo protestë, policia ka regjistruar së paku një shpërthim dhe të shtëna me armë zjarri. Në bazë të informacioneve, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, njoftohet se ka persona të lënduar. Nuk dimë se në çfarë rrethanash apo për sa persona të lënduar bëhet fjalë. Sidoqoftë, mbetet të konfirmohet nga hetuesit policorë që janë në vendngjarje, bashkë me EULEX in", citohet të ketë thënë Hoti.
Njoftohet se të lënduarit janë dërguar në qendrën spitalore në veri të qytetit të kontrolluar nga serbët. Rreth një mijë serbë janë tubuar që në orën 8 e 30 të mëngjesit, për të kundërshtuar hapjen e Zyrës së Regjistrimit Civil nga ana e Qeverise se Kosovës, në lagjen e përzier etnikisht Lagjen e Boshnjakëve. Gjysmë ore pas shpërthimit, rreth orës 10 e 30, sipas policisë, protestuesit janë shpërndarë dhe tashmë rruga është liruar për qarkullim. Policia raporton për qetësim të situatës.
Presidenti serb Boris Tadiq incidentin e sotëm në Mitrovicë ka quajtur "provokim për paqen dhe Serbinë". Tadiq ka theksuar se Beogradi nuk do të veprojë ndaj provokimeve, por do të kërkojë reagimin e të gjitha organizmave ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dënoi shpërthimin e sotëm në "Lagjen e Boshnjakëve" në Mitrovicë, si pasojë e të cilit u plagosën disa qytetarë, të cilët po protestonin kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë. "Institucionet e Republikës së Kosovës janë thellësisht të përkushtuara për krijimin e një mjedisi paqësor, stabil dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e besimi, prandaj vlerësojmë se aktet e dhunshme si ky i sotmi janë tërësisht të papranueshme", tha Presidenti Sejdiu.







All the contents on this site are copyrighted ©.