2010-07-02 18:13:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë.
Tema kryesore që përshkon leximet biblike të liturgjisë hyjnore të kësaj së diele, është ‘misioni’. Të gjithë jemi lajmëtarë të shpëtimit e të dërguar për të sjell lajmin e mirë tek çdo njeri. Eukaristia që kremtojmë e përforcon në ne këtë bindje e mision.
Pra liturgjia e kësaj së diele të gjithëve na fton të kthehemi idealisht tek Pagëzimi ynë për të ri-zbuluar thirrjen tonë personale e për ta ndier veten në botë si kumtuesë të butë e dëshmitarë të fortë të Ungjillit që shpëton. Në botën e sotme është shumë vështirë të jesh krishterë koherent, të jetosh në përkim me Ungjillin në mjedise të ndryshme shoqërore ku shpesh has në moskuptime e refuzime të porosisë shpirtërore e ungjillore. Mirëpo edhe përkundra vështirësive, pengesave Krishti na thërret e na dërgon të bartim e kumtojmë lajmin e shpresës për të gjithë, në çdo rrethanë e mjedis të botës, përmes predikimit të Kryqit.
Në të vërtetë, mbretëria e Hyjit dëftohet e realizohet në personin e në veprën e Jezu Krishtit, sidomos në mundimet-vdekjen-ngjalljen e Tij. Me ngjarjen e pashkëve realizohet pajtimi ndërmjet Hyjit e njerëzimit. Kumtimin e shpëtimit për të gjithë popujt, Jezusi ia beson veprimtarisë misionare të dishepujve të vet. Të jesh dishepul i Jezusit domethënë të vihesh në shërbim të Mbretërisë së Hyjit, mbretëri dashurie, vëllazërimi, mbretëri paqeje e jete. Po, misioni nuk është cak as qëllim, por vetëm vegël, instrument në mënyrë që paqja e bekimi i Hyjit të depertojë e të mbërrijë në çdo zemër, në çdo familje, shtëpi e begatshmëria të rrjedhë porsi lumë, e djalli të mposhtet përgjithmonë.
Misioni që Krishti u ka besuar dishepujve dhe neve është dëshmim i zbulimit të dashurisë së Hyjit mishëruar e plotësuar pikërisht në Të (Jezu Krishtin), është edhe mision bamirësie ndaj të tjerëve, është mision i pranimit të paqes e mision i fesë që e liron njerëzimin nga skllavëria e djallit, e mëkatit dhe vdekjes, është mision i jetës së pavdekshme në Krishtin Shëlbues.
Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 14-të “C” e komentin apo homelinë mund ti dëgjoni ketu......RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 66, 10-14

Profetët u kishin premtuar hebrenjve lumturi dhe siguri, si ajo që provon fëmija në krahët e nënës. Pas mërgimit do të lindtte një popull i ri, që do të provonte një besim të ri në Hyjin e vet.
Por mërgimi kaloi dhe jeta mbeti e ashpër dhe e varfër. A ishte, pra, një iluzion paqja e premtuar? Shpresa e popullit mbeti e gjallë dhe e fortë, sepse betimi i Hyjit është gjithmonë i vlefshëm. Këmbëngulja jonë në shpresën është fytyra e dukshme e besnikërisë së Hyjit.


Lexim prej Librit të Isaisë profet

Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij!
Sepse Zoti kështu po thotë: “Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë, porsi përrua vërshues pasuria e popujve. Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, përmbi gjunj do t’ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj; në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.” Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat, dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij e felgrimi i tij mbi armiqtë e tij. Fjala e Zotit.


Psalmi 66

Veprat e Zotit janë të mëdha
----- ----- -----
Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme
janë veprat e tua!”
Le të të adhurojë mbarë toka
e le të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
----- ----- -----
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
----- ----- -----
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju
që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
----- ----- -----

Leximi i dytë Gal 6, 14-18

Fuqia shpëtimtare e kryqit vlen përgjith-monë dhe logjika e kryqit nuk është kurrë jashtë kohe. Nëse Jezusi ka dashur të na shpëtojë me kryqin, kjo do të thotë që kryqëzimi është rruga normale e shpëtimit. Të gjithë herët ose vonë do të thirremi në këtë provë të madhe dashurie, në të cilën njeriu arrin çlirimin e vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja, por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Pas tashit askush më të mos më trazojë, sepse unë mbar në trupin tim shenjat e Jezusit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen.
Fjala e Zotit.


ALELUJA, aleluja.
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete,
dhe na e besoi neve fjalën e pajtimit.
Aleluja

Ungjilli Lk 10, 1-12.17-20

Misionari shpall se Mbretëria është afër; nuk e bën vetëm me fjalë, por me mënyrën e tij të të sjellurit. Një dëshmi e tillë konsiston sidomos në varfërinë, që nuk është dhe aq një virtyt personal apo mungesa e mjeteve të nevojshme se sa një shenjë e gatishmërisë ndaj Ungjillit për shërbimin e vëllezërve. Jezusi dërgon të shtatëdhjetë e dy dishepujt për të treguar që lajmërimi misionar i Ungjillit është detyrë e të gjithë të krishterëve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni!
Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet, e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet.
Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë. Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’
Unë po ju them: Sodomasit do ta kenë më lehtë atë ditë se ai qytet.” Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.