Benedikti XVI për vizitë në Sulmona. Një nga takimet, do të jetë ai me të burgosurit.
Të dielën e ardhshme Benedikti XVI do të shkojë në qytezën abruceze të Sulmonës,
për një vizitë njëditore që, natyrisht, do të jetë e ngarkuar me veprimtari, takime,
emocione. Çastet kryesore të vizitës së Papës në Sulmona, do të jenë Mesha në
Sheshin Garibaldi, nderimi i relikeve të Shën Pjetër Çelestinit V, në vitin jubilar
çelestinian; takimi me të rinjtë e ai me një delegacion të burgut të Sulmonës. Të
gjitha çaste, që kanë të bëjnë me jetën dhe historinë e këtij qyteti, i cili që në
shtatorin e kaluar ruan, në katedrale, trupin e Papës vetmitar. Rreth 700 vjet më
parë, pas pesë muaj papnie, Çelestini V hiqte dorë nga impenjimi i lartë, duke ndjerë
në shpirt se nuk mund të ishte njëkohësiht papë e vetmitar i përvujtë. Zgjodhi, prandaj,
vetminë e oshënarit, duke jetuar në shumë vende, që sot lidhen me kultin e Tij në
këtë zonë. Vendi i parë çelestinian është “Vetmitorja e Morrones”. Njihet me këtë
emër, nga që para se të bëhej papë, Vetmitari i madh quhej Pietro Morrone. Eremitazhi,
në fillim shpellë e thjeshtë, tashti ndërtesë moderne, është fare pranë qendrës së
qytetzës, e sidomos, pranë burgut, të madh. Bie, prandaj, menjëherë në sy, sapo t’i
afrohesh udhës kryesore. E dallohet mirë edhe nga dritaret e burgut, prej të cilave
mund të soditet e gjithë kodra e gjelbër. Emocioni në mjediset e burgut tashmë
ka filluar e bëhet gjithnjë më i ndjeshëm, me afrimin e takimit të madh, ndonëse me
Benediktin XVI do të takohen vetëm pesë të dënuar, siç na tregon kapelani, atë
Franko Mesori, në mikrofonin tonë:
Përgjigje:
- Kur të burgosurit dalin në shëtitje e shikojnë këtë ndërtesë, më bëjnë
gjithnjë pyetjen: “Ç’ësht, kjo shtëpizë?”. Kështu më krijojnë gjithnjë mundësinë t’u
shpjegoj kush ishte Shën Çelestini.
Pyetje: - Sot është shtëpizë,
dje ishte shpellë, ku banoi një Papë shenjt. Ç’u kujton kjo? Ç’ndikim mund të ketë
përshpirtëria e Vetmitarit mbi zemrat e të burgosurve?
Përgjigje: -
T’u flasësh të burgosurve për përshpirtëri, më duket një sfidë vërtetë e guximshme.
Gjithsesi mund të kujtoj se ipeshkvi përgatiti disa shkrime për Shën Pjetër Çelestinin,
më shumë reflektime, se dokumentime, për të ndihmuar në përgatitjen e Vitit çelestinian.
Disa të burgosur i lexuan me kënaqësi. E pati edhe nga ata, që më thanë se mësuan
shumë nga kërkimi i Zotit në vetminë e qelisë së burgut.
Pyetje: -
Ky quhet burg i sigurisë së lartë e, për fat të keq, dihet edhe se brenda mureve të
tij janë bërë disa vrasje. Është i njohur, sepse ka shumë mafiozë, të burgosur me
afate të gjata. Një realitet ku mungon për një kohë të gjatë liria, prandaj. Këtu
do të jetë i pranishëm mëkëmbësi i Krishtit, i Zotit, që çon lirinë kudo ndjehet
prania e tij… edhe këtu, në takimin me delegacionin e të burgosurve e, përmes tij,
me gjithë ata, që kanë kohë të mjaftueshme të meditojnë, të mbyllur në qeli…
Përgjigje:
- Takimi me Atin e Shenjtë është pothuajse simbolik, sepse do të jenë vetëm
pesë të burgosur, disa policë, drejtori i burgut dhe komandanti i rojeve. Gjithsesi
mbetet me vlerë. Lë të kuptosh se aty, ku hyn Jezu Krishti, hyn shëlbimi e liria.
Në fund të fundit detyra e kapelanit është t’u kujtojë atyre, që jetojnë të mbyllur,
se Jezu Krishti të bën të lirë, edhe kur je i ngarkuar me zinxhirë, edhe kur drejtësia
mendon se duhet të rrish në pranga. Mund t’i kesh duart të lidhura, por shpirtin,
të lirë. Këtë do t’u kujtojë vizita e Papës gjithë të burgosurve.