Papa emëron imzot Koch në vend të kard. Kasper President të Këshillit Papnor për
Bashkimin e të Krishterëve
Ati i Shenjtë Benedikti XVI ka pranuar dorëheqjen, paraqitur nga kardinali Walter
Kasper, nga detyra e Presidentit të Këshillit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve
dhe ka emëruar në vend të tij ipeshkvin e Bazelit, shkëlqesinë e tij imzot Kurt Koch.
60 vjeçar, teolog, duke e lartuar në njëjtën kohë në dinjitetin e Kryeipeshkvit.
Ipeshkvi Koch ka qenë profesor i teologjisëdogmatike e shkencave të liturgjisë
pranë Universitetit të Lucernit, anëtar i Këshillit Papnor për Bashkimin e
të Krishterëve, e nga vitit 2007 deri më 2009 president i Konferencës Ipeshkvnore
zvicerane, e tani, në detyrën e re do të përkujdeset për marrëdhëniet me bashkësitë
tjera të krishtera por edhe me hebraizmin. Në letrën drejtuar besimtarëve të
dioqezit të Bazelit me rastin e largimit e të tij, imzot Koch shpjegon se Papa Racinger
i ka besuar këtë detyrë të re në saj të përvojës së drejtpërdrejtë, e jo vetëm të
njohjes teologjike, me Kishat dhe bashkësitë kishtare që vijnë nga Reforma. Papa edhe
një herë tregon interesimin e tij jo vetëm për ekumenizmin me ortodoksit, por edhe
me protestantet, e rëndësinë që i kushton dialogut ekumenik, të cilin e ka jashtëzakonisht
përzemër. Sipas ipeshkvit zviceran, Papa Racinger dëshiron që Kisha të hyj
gjithnjë e më në thellësi dhe shtyn për një ‘reformatio’- ‘reformim’ të ri të Kishës
nga brendësia, e kjo do të thotë që Ati i Shenjtë po orvatet për t’ia kthyer asaj
reformën autentike, ashtu siç qe realizuar e programuar nga Koncili II i Vatikanit”.