110-vjetori i lindjes së Atë Zef Valentinit, Jezuit, një jetë e tërë në shërbim
të popullit shqiptar.
(01.07.2010 RV)Veprimtaria e misionarëve jezuitë në Shqipëri u përqendrua kryesisht
në dy fusha: apostullim e kulturë. Në këto dy fusha ata shkrinë pa kursim të gjitha
energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale, morale, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme.
Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef Valentini (1900-1979), njeriu me jetë të lodhshme,
jezuiti të cilit iu deshën shumë mund, djersë e shqetësime, për të lënë pas vëllime
e vëllime për Shqipërinë e shqiptarët. Lindi në Padovë më 1 korrik 1900, por jetoi
më shumë në Shkodër, ku njohu virtytet racore, vlerat intelektuale e shpirtin patriotik
të popullit shqiptar. Këndej, krijoi një lidhje të fortë e të sinqertë shpirtërore,
e cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën fisnike që të punonte për vendin e misionit.
Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi së lypuri ndihma e s’u zhyturi ndër arkiva,
në kërkim të dokumenteve të reja për historinë e vendit, i cili e konsideronte të
padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar e duke punuar përherë në
një mjedis shqiptar. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij qenë Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi…,
me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuem e të vlerësueshëm për dobinë e kulturës
shqiptare. I konsideruar si armik nga regjimi komunist, i akuzuar si spijun i Vatikanit,
i sulmuar me armën e tmerrshme të harresës, Atë Valentini vijon të mbetet një nga
figurat më të shquara në kulturën shqiptare.
E gjatë, lista e veprave
që shkroi, duke nisur nga ‘Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para”: ‘Biografi e Garcia
Morenos”; përkthimi i ‘Polieucte’ të Kornejt e ‘ Sauli’ të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen
historike të shqiptarëve’; ‘Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri
në shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”(1956),
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969); “E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane
të shekujve XIV-XV”; Revista “Letture” (Themeluar prej tij në vitin 1946 në Itali);
“Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar Ernest Koliqit); ‘Fishta’ (studim për Gjergj Fishtën)
etj, etj. Kujtojmë se vetëm në revistën ‘Shęjzat” botoi mbi njëqind artikuj e studime,
që prekin të gjitha fushat e kulturës.
Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar,
por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe
bëri për kulturën shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë bërë. Për kontributin
e madh që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me
nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968,
me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në Romë: “Shqiptarë,
duenie At Valentinin, se Ai ju dashunon me zemër. Çmonie se Ai punon pa prâ, për t’ia
ba të njohun botës vlerat shpirtnore e artistike tueja. Ai asht i jueji, pse ia ka
kushtue çashtjes suej menden e zemrën e vet”.