2010-06-30 17:56:38

Kryqi: hapet seanca në Strasburg, duhet kohë e gjatë për vendim


(30.06.2010 RV)Në Strasburg u hap seanca e dytë për çështjen e ekspozimit të Kryqit në vendet publike.
Zgjati rreth tri orë në Strasburg, seanca para Dhomës së Madhe të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, mbi çështjen e Kryqit në shkollat publike të italisë. Kujtojmë se është seanca e dytë e kësaj Gjykate. Ka të bëjë me ankesën e një gruaje finlandeze, me banim në Itali, që ka kërkuar të hiqet Kryqi nga shkollat. Në seancën e parë, gjykata i dha të drejtë gruas, duke pasur parasysh se arsimi e edukata duhet të jenë laike. Por Italia, e mbështetur nga 10 vende të tjera evropiane, paraqiti një ankesë për prishjen e këtij vendimi, duke kërkuar t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike.

Sot 17 gjykatës të “Grande Chambre” të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, dëgjuan argumentet e qeverisë italiane, paraqitur nga avokati Nikola Letieri, ndërsa për zonjën finlandeze, foli avokati Nikolò Paoleti. Dhjetë vende anëtare të Këshillit të Evropës, 33 parlamentarë dhe disa Ong e shoqata, i kujtuan gjykatës se radhiten përkrah Italisë. Vendimi do të jetë përfundimtar por, sipas burimeve të Gjykatës, derisa të përfundojnë praktikat zyrtare, do të kalojnë gjashtë muaj ose një vit. Vetëm atëhere do të bëhet publik.
Kryqi është simbol i domosdoshëm fetar e kulturor. Ta heqësh, do të thotë t’ia presësh rrënjët historisë së Kontinentit. E pohon këtë, në mikrofonin tonë, ipeshkvi i San Marino-Montefeltre, imzot Luigji Negri:RealAudioMP3

"Kryqi është shprehje sintetike, e gjallë; është themel i një ngjarjeje të madhe: inkulturimit të shoqërisë në shekuj nga ana e fesë. Është sigurisht simbol domethënës, nga i cili feja katolike nuk mund të heqë dorë. Vetëm të mendosh se mund të hiqet, do të thotë të bësh një veprim të mirëfilltë barbarie kulturore, sepse shemb themelet e një kontinenti të tërë. Themelet i hodhi vetë Kontinenti, nuk ia imponoi askush. Themeli është, do të mbetet atje ku është, njihet a s’njihet. Por nuk mund të përligjen përpjekjet për ta bërë të padukshëm, sepse popujt evropianë e kanë parë gjithnjë Kryqin si horizont jete. Në të kanë parë e shohin flijimin e suksesin, humbjen e fitoren, vdekjen e ringjalljen. Këto janë vlera, pa të cilat njeriu i mijëvjeçarit të tretë, nuk mund të jetojë më si njeri. Pastaj se disave nuk u bëhet fare vonë sulmohen a mbrohen këto vlera, kjo është çështje që ka të bëjë me lirinë e ndërgjegjes. Ndërsa për popujt e Evropës, janë ende pikë referimi. T’ia heqësh, do të thotë ta lësh pa rrënjë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.