2010-06-30 16:19:19

Kardinali Uelet është prefekti i ri i Kongregatës për Ipeshkvijtë; Imzot Fizikela, kryetar i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri.


(30.06.2010 RV)Ditë me emërime të rëndësishme, e sotmja, në Vatikan. Siç pritej, Benedikti XVI emëroi disa kryetarë të rinj dikasteresh, duke përfshirë edhe dikasterin, për themelimin e të cilit foli dy ditë më parë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, gjatë lutjeve mbrëmësore të natës së solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.

Benedikti XVI zgjodhi kryeipeshkvin Rino Fizikela për të kryesuar Këshillin e sapolindur për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, që do të punojë për të përtëritur kumtimin e fesë në ato vende, ku jehoi “kumtimi i parë" e ku vijon thellimi i shekullarizimit të shoqërisë e jo më pak, edhe eklipsi i kuptimit të Zotit”, siç u shpreh vetë Papa të hënën e kaluar, në sa kremtonte mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Palit. Duke nisur detyrën e re, imzot Fizikela lë dy të mëparshmet: atë të kryetarit të Akademisë Papnore për Jetën dhe të rektorit të Universitetit Papnor Lateranens. Për t’i kryer këto detyra Benedikti XVI emëroi dy kryetarë të rinj të këtyre institucioneve papnore: në krye të Akademisë për Jetën do të jetë imzot Injacio Karrasko de Paula; ndërsa rektor i Lateranenses, don Enriko dal Kovolo, profesor i letërsisë së krishterë antike greke pranë Universitetit salezian.
Ndërmjet të emëruarve rishtas, spikat figura e udhëheqësit të ri të Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinalit kanadez Mark Uelet, rregulltar sulpician, deri tani kryeipeshkëv i Kebek-ut, që zë vendin e kardinalit Gjovani-Batista Re, i cili del në pension.
Një ndryshim edhe lidhur me detyrën e vëzhguesit të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në Nju Jork. Kryeipeshkvi Çelestino Miliore caktohet në një detyrë të re: nunc apostolik në Poloni. Nuk është njoftuar ende kush do të jetë zëvendësi i tij.
Për t’u shënuar edhe se sot paradite Papa caktoi datën e takimit me imzot André- Mutien Léonard, kryeipeshkëv i Malines-Brukselit, i cili pak ditë më parë ishte i pranishëm në ngjarjen e hidhur të kontrolleve të policisë belge në kryeipeshkvi, lidhur me hetimet për shpërdorimet e klerit belg mbi të miturit, kontrolle që Selia e Shenjtë i dënoi ashpër për mënyrën si u bënë e për metodat e pashembullta, që u përdorën.







All the contents on this site are copyrighted ©.