2010-06-29 15:52:46

Papa në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit: Kisha pëson dëmin më të madh nga "ajo që e ndot fenë e jetën e krishterë.


(29.06.2010 RV)Kisha kremton sot “rrënjët e veta të shenjta duke kremtuar Apostujt Pjetër e Pal”. Në solemnitetin e Shenjtorëve pajtorë qiellor të qytetit të Romës, Benedikti XVI kryesoi sot paradite Meshën e Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit, Ati i Shenjtë Racinger u vuri Palion e Shenjtë, simbol “i bashkimit e njësimit me ipeshkvin e Romës”, 38 kryeipeshkvijve të ri metropolitë. Tema e lirisë së Kishës qe në qendër të homelisë së Meshës: "Shërbimi i Pjetrit - pohoi Benedikti XVI - është garanci e lirisë në kuptimin e plotë të aderimit në të vërtetën, në traditën autentike, kështu që populli i Zotit të jetë i qëndrueshëm dhe i mbrojtur prej gabimeve që lidhen me fenë dhe moralin”.
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa foli mbi figurat e shndritura të Shenjtorëve Pjetër e Pal, “themele të Kishës katolike”.
Liria e Kishës, që Krishti ia siguroi Pjetrit, shfaqet në përmasën e dyfishtë historike dhe shpirtërore: “Zoti - pohoi Papa - është afër shërbëtorëve të tij besnik dhe i liron nga çdo e keqe, e liron Kishën prej fuqive negative”:
“Premtimi i Jezusit - ‘ fuqitë e ferrit nuk do ta ngadhënjejnë mbi Kishë - po e përshinë përvojën historike të përndjekjeve që pësuan Pjetri e Pali dhe dëshmitarët tjerë të Ungjillit, por shkon më tej, duke siguruar mbrojtjen e tij sidomos kundër kërcënimeve të rendit shpirtëror”.
Vepra çlirimtare e Zotit - shpjegoi Ati i Shenjtë Racinger - e shoqëron jetën e Shën Pjetrit e Palit. Engjëlli i Zotit “ e zgjidh Pjetrin prej prangave dhe e çon jashtë prej burgut të Jerusalemit, aty ku e pati ngujuar, nën mbrojtje të rreptë, Herodi mbret”. Zoti i qe gjithmonë afër edhe Palit të cilin “e liroi prej shumë rreziqeve” duke e sjell pastaj “në Mbretërinë e amshuar”. Siç shkruan Pali në Letrën drejtuar Efezianëve, të jesh dëshmitar i Ungjillit do të thotë edhe të marrësh pjesë në betejë në emër të lirisë e të së Vërtetës:
“Në të vërtetë beteja jonë nuk është kundër mishit e gjakut, por kundër Principatave e Pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij që banojnë në rajonet qiellore”.
Në historinë e Kishës, që përfshinë dy mijëvjeçar, “për të krishterë kurrë nuk kanë munguar sprovat”. Në disa periudha e vende këto sprova e mundime janë shndërruar në “përndjekje vërtetë të tmerrshme”:
Mirëpo, këto, me të gjitha vuajtjet që shkaktojnë, nuk përbëjnë rrezikun më të rëndë për Kishën. Dëmin më të madh, në të vërtetë, ajo e pëson nga ajo që e ndot fenë dhe jetën e krishterë të anëtarëve të Kishës e të bashkësive të saj, duke cenuar integritetin e Trupit mistik, duke dobësuar aftësinë e saj të profetizimit e të dëshmimit, dhe duke ia vrugur bukurinë e fytyrës së saj”.
Duke iu referuar pastaj letrave të Shën Palit, Papa nënvizoi disa rreziqe të mëdha e të rënda. Letra e parë drejtuar Korintianëve - pohon Benedikti XVI - “përgjigjet ndaj disa problemeve të përçarjeve e ndarjeve, të kontradiktave, të pabesisë ndaj Ungjillit, që e kërcënojnë seriozisht Kishën”. Letra e dytë drejtuar Timoteut flet për rreziqet e “kohëve të fundit”, duke i identifikuar si “sjellje negative që i përkasin botës e që mund të infektojnë bashkësinë e krishterë”:
Egoizmi, krenaria, mendjemadhësia, të dhënit pas parasë...por përfundimi i Apostullit në këtë Letër na siguron: njerëzit që veprojnë keq - shkruan ai - ‘nuk shkojnë shumë larg, sepse prapështia e marrëzia e tyre do të shfaqet para të gjithëve’. Prandaj kemi garantimin e lirisë që Hyji i siguron Kishës, lirinë si prej leqeve materiale që orvaten të pengojnë e përkeqësojnë misionin, si prej të këqijave shpirtërore e morale, që mund të prekin autenticitetin e besueshmërinë”.
Tema e lirisë së Kishës ka edhe një tjetër lidhje me ritin e vendosjes së Palios, që sot iu dorëzua nga Papa 38 kryeipeshkëvijve të ri metropolitë. Stolat e Palios qenë bekuar nga Benedikti XVI dhe metropolitët një nga një shkuan para Atit të Shenjtë, i cili u vuri mbi shpatulla Palion e Shenjtë.
Në planin historik, bashkimi me Selinë e Shenjtë Apostolike - nënvizoi Papa - u siguron Kishave lokale “lirinë nga pushtetet e qeveritë lokale, kombëtare apo mbikombëtare, që në disa raste mund të pengojnë misionin e Kishës”. Në fakt, çdo vit, kryeipeshkvijtë e ri metropolitë vijnë në Romë për të marr Palion që duhet kuptuar në “domethënien e vet që ka, si gjest bashkimi”. Tema e lirisë së Kishës, në këtë vështrim, ofron një çelës të rëndësishëm leximi:
“Kjo duket qartë në rastin e Kishës që preket nga persekutimet, apo asaj që pëson ndërhyrje politike e sprova tjera të ashpra. Por kjo nuk është më pak e dukshme as në rastin kur Komuniteti që pëson ndikimin e doktrinave të gabuara e devijuese, apo të tendencave ideologjike e praktikave që janë në kundërshtim me Ungjill. Prandaj në këtë këndvështrim, simboli i Palios bëhet një peng lirie, i ngjashëm me ‘zgjedhën’ e Jezusit, që ai na fton ta marrim, secili mbi shpatulla të veta”.
Premtimi i Krushtit, që fuqitë e ferrit nuk do të ngadhënjejnë mbi Kishën e tij, kanë edhe “një vlerë ekumenike” tha Papa gjatë homelisë së sotme:
“Këto fjalë mund të kenë edhe një domethënie me vlerë ekumenike nga çasti kur një nga efektet e veprës së të Keqit është pikërisht ndarja brenda bashkësisë kishtare. Ndarjet, në të vërtet, janë simptomë e fuqisë së mëkatit, që vazhdon të veproi në anëtarët e Kishës edhe pas shëlbimit”. “Bashkimi i Kishës është i rrënjosur në bashkimin e saj me Krishtin, e çështja e bashkimit të plotë të të krishterëve - që duhet kërkuar e përtërirë, prej breznie në brezni - është e mbështetur nga lutja e tij e premtimi i tij”.
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, pas Meshe, Papa uroi së fundi që “shembulli i Apostujve Pjetër e Pal t’i ndriçojë mendjen e të ndezë në zemra të besimtarëve dëshirën e shenjtë për ta kryer çdo ditë vullnetin e Zotit, në mënyrë që Kisha shtegtare mbi tokë të jetë përherë më besnike ndaj Zotërisë së saj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.