2010-06-29 15:57:53

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Shën Pjetrit e Palit Apostuj


(29.6.2010 RV)Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit të solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, kësaj radhe pra do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Shën Pjetrit e Palit Apostuj.
Dëgjues të nderuar, kremtojmë pra solemnitetin e apostujve Pjetër e Pal, simbole, përkatësisht, të themelit e të misionit universal të Kishës së Jezu Krishtit.
Pjetri e Pali qenë të bashkuar në mision e në martirizim. Pjetri ai që e njohu e pranoj madhërinë e doktrinës së Palit; Pali ai që e vërtetoi mësimin dhe predikimin e tij me Pjetrin, për të mos rrezikuar të predikonte gjërat e veta, në vend që t'i predikonte ato të Jezu Krishtit.
Pjetri e Pali janë sintezë e mrekullueshme e bashkimit në dallueshmëri të dhuratave e të karizmave që Zoti u fali. Këta janë Apostujt e shenjtë që me gjakun e tyre e kanë bërë të frytshme Kishën. Atyre u drejtohemi me lutje që të ndërmjetësojnë pranë Hyjit Dashuri për përforcimin e fesë sonë në Krishtin e Gjallë.
Me siguri që çdo njëri prej të dy shenjtorëve, do të meritonte një festë në veti, aq e madhe është pesha dhe rëndësia e shenjtërimit e domethënia që kanë pasur e vazhdojnë të kenë për Kishën.
Megjithë dallueshmërinë që kanë njëri me tjetrin, ata kanë diçka që i bashkon dhe që këshillon t'i kremtojmë së bashku.
Ajo që i bashkon më duket se është mirë e shprehur në antifonën e hyrjes së meshës së këtij solemniteti: "Janë këta apostuj të shenjtë që gjatë jetës tokësore e kanë bërë të frytshme Kishën me gjakun e tyre, kanë pi kelkun e Zotërisë Jezus, e janë bërë miq të Zotit". Titulli i tyre i lavdisë është pra fakti që kanë dëshmuar Krishtin deri më vdekje, duke e bërë të "frytshme" zhvillimin dhe rritjen e Kishës së parë, më shumë se të gjithë të tjerët. Pastaj, të mos harrojmë faktin, historikisht të dokumentuar, që të dy kanë pësuar martirizimin për Krishtin në Romë, qytetin e "amshuar".
Dy Apostujt e mëdhenj Pjetri e Pali, shtylla e themele të Kishës, në ditën e festë së tyre, na ndihmojnë të thellojmë karizmat e tyre të veçanta, dhuratat e tyre që karakterizonin secilin dhe t'i jemi mirënjohës Zotit për transmetimin po nga ata, të Ungjillit e të doktrinës Kishtare në të gjitha kohërat, e kështu na garantohet në kohë e vërteta e Dëftimit të Zotit e vepra e shëlbimit realizuar për ne nga Krishti Zot.
Libri e shpata janë simbolet ikonografike me të cilat paraqiten Pjetri, "peshkatar i përvujtë i Galilesë", e Pali "apostull-doktor i popujve", urtia e dëftuar e Atit dhe forca e dëshmisë ungjillore, nga njëra anë Jezusi dhe e vërteta e tij, nga ana tjetër gjyqi i shpëtimit që vjen e realizohet në jetën e secilit prej nesh.
Konfrontimi mes dy apostujve të shenjtë mund të vazhdojë: herë herë duken aq larg njëri tjetrit e të pakrahasueshëm, nga ana tjetër përplotësohen në historitë e thirrjes së tyre, në dëshminë e jetës së tyre për fenë Krishtin, që vuloset me gjakun e martirizimit të tyre. Jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, janë një thirrje për ne të kthehemi në udhën e Zotit, të pranojnë planin e Hyjit, pavarësisht se cila është “historia” jonë aktuale më Të dhe të jetojmë në përkim me Ungjillin e Krishtit e ta dëshmojmë më jetë dashurinë shëlbimpruese.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së solemnitetit të shenjtorëve Pjetër e Pal, mund të dëgjoni këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.