2010-06-28 14:28:03

Shqipëria e Kosova drejt proceseve integruese evropiane


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një takimi dje në Durrës kanë diskutuar për perspektivën evropiane dhe proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës, liberalizimin e vizave, procese këto të bazuara në performancën, vendosjen e standardeve evropiane në Shqipëri dhe në Kosovë, si interes jetik i qytetarëve të vendeve të dy vendeve.
Berisha vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë dhe me të gjitha vendet përreth, përveç Serbisë, "janë shembull frymëzimi". "Aspiratat e qytetarëve të të dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian janë promotor i fuqishëm e themelor i këtij procesi dhe detyrim madhor i qeverive të dy vendeve tona. Me zotin Thaçi ramë dakord që të shkëmbejmë çdo dokument, çdo ligj, çdo platformë, projekt dhe program në interesin më të mirë të këtij procesi, të japim çdo ndihmë teknike në mënyrë që ky proces të jetë fund e krye, i bazuar në standardet më të mira", tha kryeministri shqiptar. Të dy kryeministrat kanë konstatuar se pjesëmarrja e Kosovës në të gjitha veprimtaritë e mëdha rajonale dhe botërore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Nga ana e tij Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi Kryeministrin Berisha për "kontributin që po jep për avancimin e procesit të Kosovës, dhe bashkëpunimin mes dy qeverive e vlerësoi të shkëlqyer. Në Kosovë pritet me padurim opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për statusin që pastaj të hapet perspektiva e sigurt e Kosovës për t'u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe në të ardhmen jo të largët edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
"Për Kosovën, prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të shënojë konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. SipasThaçit tri janë gjërat të cilat në asnjë rrethanë nuk do të diskutohen. Do të punohet maksimalisht për të ndryshuar për të mirë gjendjen në veri të Mitrovicës; statusi politik është një çështje e përfunduar një herë e përgjithmonë dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i pranueshëm, i njohur ndërkombëtarisht dhe natyrisht, i paprekshëm, theksoi Kryeministri i Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.