2010-06-28 17:09:40

Papa delegacionit të Patriarkanës ekumenike: të përparohet në dialogun për parinë e papës e për rolin e të krishterëve në Lindjen e Mesme.


(28.06.2010 RV)Sot pasdite Benedikti XVI kryesoi Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Ndërsa nesër paradite do të kryesojë Meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke nisur nga ora 9.30. Gjatë kremtimit, do t’u vërë mbi supe paliot e shenjta 38 ipeshkvijve të rinj metropolitë. Ndërkaq, sot paradite Papa priti në Vatikan një delegacion të Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës, dërguar nga Bartolomeu I për Festën e Shenjtorëve Pajtorë të Romës. Delegacionin e kryeson metropoliti i Sazimës, Genadios.

Shpresojmë se dialogu katoliko-ortodoks do të bëjë një përparim të dukshëm, pohoi Papa gjatë takimit me delegacionin e Patriarkanës ekumenike, që u karakterizua nga një atmosferë jashtëzakonisht e përzemërt e vëllazërore. Benedikti XVI nënvizoi se në Sinodin e ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në tetorin e ardhshëm, temës së bashkëpunimit ekumenik do t’i kushtohet një vëmendje e dorës së parë, siç theksohet edhe në Instrumentum laboris, që iu dorëzua prelatëve të zonës gjatë vizitës së fundit papnore në Qipro:
“The difficulties that the Christians of the Middle East…”
Vështirësitë që po kalojnë të krishterët e Lindjes së Mesme, vërejti Papa, janë karakteristike për të gjithë ata, që jetojnë si pakicë, duke dëshiruar gjithnjë liri fetare e paqe të vërtetë. Shenjtëria e Tij shtoi se është e nevojshme të thellohet dialogu me bashkësitë islamike e hebreje, duke shprehur, më pas, kënaqësinë e tij të thellë për praninë e një delegacioni të Patriarkanës ekumenike në Sinod.
Benedikti XVI kujtoi edhe se Komisoni i përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik vijon diskutimet mbi “Rolin e Ipeshkvit të Romës në bashkimin e Kishës, në Mijëvjeçarin e parë të krishterimit”. Është një çast vendimtar, theksoi Papa, duke uruar që studimet mbi këtë argument delikat të përparojnë, posaçërisht në seancën e ardhshme, që do të mbahet në Vjenë:
“I thank the Lord that the relations…”
Benedikti XVI falënderoi Zotin për faktin se marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve karakterizohen nga besimi reciprok, nderimi e fryma vëllazërore, gjë që e dëshmojnë shumë takime, mbajtur këtë vit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesëve të Kishës katolike e të Kishës ortodokse. E, në përfundim, Ati i Shenjtë kujtoi, si shenjë inkurajuese të kësaj faze, letrën patriarkale e sinodale shkruar nga Bartolomeu I, shkurtin e kaluar, në të cilën Patriku ekumenik vë theksin mbi rëndësinë e dialogut!







All the contents on this site are copyrighted ©.