2010-06-28 17:09:27

Mesazh i Benediktit XVI drejtuar kryetarit të Konferencës ipeshkvnore të Belgjikës për mënyrën e kontrolleve në katedralen e Malines.


(28.06.2010 RV)Benedikti XVI, në një mesazh drejtuar imzot Andre-Jozef Leonard, kryeipeshkëv i Malines-Brukselit, kujton mënyrat që përdorën forcat belge të rendit gjatë kontrollit në selinë e kryeipeshkvnisë. Në këtë çast të trishtuar, shkruan Papa, dëshiroj t’ju shpreh afërsinë e solidaritetin tim Ju dhe të gjithë ipeshkvijve të Kishës së Belgjikës, për mënyrat e habitshme e të dënueshme me të cilat u bënë kontrollet në katedralen e Malines e në Selinë, ku episkopati ishte i mbledhur në një seancë plenare, në të cilën, ndërmjet tjerash, do të trajtoheshin aspekte të shpërdorimit mbi të miturit, nga ana e disa anëtarëve të klerit.
Më se një herë, shton Ati i Shenjtë, unë vetë kam pohuar se fakte të tilla të rënda duhen trajtuar nga drejtësia civile e ajo kanonike, duke respektuar pavarësinë e palëve. Prandaj, përfundon Benedikti XVI – uroj që drejtësia të bëjë punën e vet për garantimin e të drejtave themelore të njerëzve e të institucioneve, të respektojë viktimat, por edhe t’i pranojë, pa paragjykime, të gjithë ata që impenjohen të bashkëpunojnë me të, duke refuzuar gjithçka errëson qëllimet fisnike të kësaj drejtësie.







All the contents on this site are copyrighted ©.