2010-06-28 14:46:44

Drejtori i CIA-s Paneta: Irani mund të ketë bombë atomike brenda dy vitesh


Irani posedon, sipas vlerësimeve të shërbimit sekret amerikan CIA, sasi të mjaftueshme të uraniumit të pasuruar dobët për dy bomba atomike. Por, ndërtimi i një bombe të këtillë mund të zgjasë ndoshta deri në dy vjet, deklaroi për televizionin amerikan drejtori i CIA s Leon Paneta.
Shefi i CIA-s nuk beson që masat e fundit ndëshkuese kundër Iranit mund të ndërpresin programin bërthamor të këtij vendi. Paneta, megjithatë, është i mendimit se sanksionet e fundit mund të dobësojnë qeverinë e Teheranit dhe mund t'i sjellin asaj probleme serioze ekonomike.

Shefi i CIA s paralajmëroi se lufta në Afganistan do të jetë më e vështirë dhe më e gjatë sesa mendohej, përkundër sukseseve kundër Al Kaidës dhe talibanëve. Leon Paneta tha se SHBA “kanë të bëjnë me një shtet, i cili ka probleme me qeverisjen, probleme me korrupsionin, probleme me trafikimin e narkotikëve dhe probleme me kryengritjen e talebanëve”. Paneta tha se strategjia e presidentit Obama për të dërguar më shumë trupa deri në fund të gushtit është e drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.