2010-06-28 17:10:32

Dikasteri papnor i emigrantëve, në mesazhin për Ditën botërore të turizmit 2010 thekson: të mbrohen pasuritë natyrore të vendeve turistike!


(28.06..2010 RV)Turizmi, i organizuar si duhet, është burim i vërtetë i zhvillimit e i mirëqenies për shumë popullsi të botës. Por ndikimi i tij në zonat turistike, mund të shkaktojë edhe dëme të mëdha mbi ambientin. E pohojnë këtë drejtuesit kryesor të Këshillit Papnor për Baritorinë e emigrantëve e të endcakëve, në mesazhin për Ditën botërore të turizmit 2010, që do të kremtohet më 27 shtatorin e ardhshëm.
Savana e shkretëtira; pyjet e brigjet e stolisura me korale; detet e oqeanet, zonat e përvëluara e ato të ngrira – janë gjithnjë më shumë caqe, drejt të cilave dyndet turizmi masiv. Mjafton të kujtojmë se vetëm gjatë vitit në vijim, sipas parashikimeve të specialistëve, rreth botës e bukurive të saj, pritet të sillen një miliard turistë. Turma të tëra, që lëvizin, që nisen, që rikthehen. Që, gjatë kësaj lëvizjeje të ethshme, mund t’i shkatokjnë edhe dëme ambientit, ku kalojnë. Alarmi, shoqëruar me një vizion mbi konceptimin e drejtë të veprimtarive turistike, sipas magjisterit kishtar, është zemra e mesazhit, nënshkruar nga kryeipeshkvinjtë Antonio Maria Veglio e Agostino Marketo, për Ditën e ardhshme botërore të turizmit, me temë “Turizmi e biolarmitë”.Duke pasur parasysh pasuritë e pallogaritshme të natyrës shqiptare, rivierën e mrekullueshme, bjeshkët e freskëta, ndërmjet të cilave shquhen për bukuri Thethi, Lura, Dajti etj etj; liqenet e lumejtë, që kaltrojnë viset e Veriut e të Jugut, tani kur turistët lëvizin lirisht e me mijëra në trojet shqiptare, e bëjnë aktual këtë mesazh edhe për viset tona, që duhen mirëmbajtur, duhen ruajtur e duhen mbrojtur nga rreziku i shpërdorimit të kalimtarëve. Sepse nuk i përkasin vetëm të sotmes: janë pasuri për të gjitha breznitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.