2010-06-28 17:09:10

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: egoizmi çon në ndeshje e kundërshtime, kush ndjek Krishtin, hyn në një përmasë të re të lirisë.


(28.06.2010 RV)Liria përkon me dashurinë, ndërsa egoizmi çon në ndeshje e kundërshtime. Këtë pohoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u ndaluar posaçërisht tek përgjigjja e Krishtit, që flijon vetveten për shpëtimin e njeriut. Kjo përgjigje na nxit të vihemi në shërbim të njëri-tjetrit. Kush heq dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja, për të ndjekur Krishtin, tha Papa, hyn në një përmasë të re të lirisë.

 
T’i përgjigjesh thirrjes së Jezusit, do të thotë ta ndjekësh e të përshkosh të njëjtën udhë, duke ecur në gjurmët e Ungjillit. Kush ka fatin të njohë një të ri a të re, që lë familjen ku u lind e u rrit, lë studimet a punën, për t’iu kushtuar plotësisht Zotit, pohoi Papa, e di mirë ç’kuptim ka ky përkushtim, sepse ka parasysh një shembull të gjallë, që dëshmon ç’do të thotë t’i përgjigjesh me gjithë vetveten thirrjes hyjnore:
“E kjo është një nga përvojat më të bukura, që fitohet në Kishë: ta shikosh, ta prekësh me dorë veprimin e Zotit në jetën e njerëzve; të provosh se Zoti nuk është qenie abstrakte, por Realitet aq i madh e i fuqishëm, sa ta mbushë plotësisht zemrën e njeriut, është Vetje e gjallë, e afërt, që na do e dëshiron ta duam”.
Papa kujtoi, pastaj, fragmentin e Shën Lukës Ungjilltar, në të cilin Jezusi u thotë disa njerëzve se kush dëshiron të punojë me të, në arën e Zotit, nuk mund të kthehet prapa. Një tjetri Krishti i thotë: “Më ndiq!”, duke i kërkuar të këpusë menjëherë çdo lidhje famijare. Këto kërkesa, vërejti Ati i Shenjtë, mund të duken tepër të rrepta, por në të vërtetë shprehin risinë e përparësinë absolute të Mbretërisë së Zotit, që bëhet i pranishëm mes nesh në Jezu Krishtin:
Është fjala për t’iu nënshtruar plotësisht dashurisë së Zotit, së cilës i bindet i pari vetë Jezusi. Kush heq dorë nga gjithçka, e edhe nga vetvetja, për të ndjekur Krishtin, hyn në një përmasë të re të lirisë, të cilën Shën Pali e quan “të ecësh sipas Shpirtit Shenjt”(cfr Gal 5, 16). “Krishti na çliroi, që të mbetemi të lirë, shkruan Apostulli, e shpjegon se kjo formë e re e lirisë, të cilën Jezusi e fitoi për ne, është shërbimi që duhet t’i bëjmë njëri-tjetrit (Gal 5, 1,13). Liria e dashuria përkojnë! Bindja ndaj egozimit, përkundrazi, të çon në ndeshje e kundërshtime”.
Papa i ftoi të gjithë ta kundrojnë misterin e Zemrës hyjnore-njerëzore të Zotit Jezus, për ta shuar etjen drejtpërdrejt në burimin e dashurisë së Hyjit:
“Kush ia ngul sytë kësaj zemre të shporuar e gjithnjë të hapur për dashurinë tonë, kupton sa e vërtetë është kjo lutje: “Je ti, o Zot, e mira ime e vetme!”, (Psalmi) e është gati të lerë gjithçka, për të ndjekur Zotin. O Mari, u lut në përfundim të lutjes Papa, Ti, që iu përgjigje pa ngurrim thirrjes hyjnore, lutu për ne!”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi se dje, në Liban, u shpall i Lum Estefan Nehmè, rregulltar i Urdhërit libanez maronit. Papa u bashkua me gëzimin e vëllezërve e motrave libaneze, duke ia besuar mbrojtjen e tyre, të Lumit të ri.
Kujtoi edhe se e diela e djeshme, që i parapriu Solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit, përkoi, në Itali e në vende të tjera, me Ditën e Bamirësisë së Papës. Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohejn e tij të gjithë atyre që, me lutje e lëmoshë, mbështesin veprimtarinë apostolike të pasardhësit të Shën Pjetrit, në ndihmë të Kishës universale. Duke përshëndetur, në përfundim, shtegtarët polakë, Papa u uroi pushime të gëzuara të gjithë atyre që, në stinën e ngrohtë, përgatiten të prehen në gjirin e natyrës, ose në kërkim të bukurive, krijuar nga dora e njeriut:
“Dla wielu będzie to czas odpoczynku.
“Për shumëkënd, kjo do të jetë periudhë pushimesh. Uroj që takimet me natyrën, me njerëz të rinj, me frytet e krijimtarisë njerëzore, t’i ndihmojnë pushuesit jo vetëm për rifitimin e forcave fizike e për zhvillimin mendor, por edhe për t’u takuar më shpesh me Zotin e për t’u përforcuar në fe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.