2010-06-26 19:53:34

Solemniteti i Shenjtorëve Pjetër e Pal, më ‘romakja’ mbi të gjitha festat. Reflektim i atë Federiko Lombardit.


(27.06.2010 RV)Një festë, që flet për bashkim me Papën, për ekumenizëm, për lidhje me Romën. Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj, që do të kremtohet më 29 qershor, i përfshin të gjitha këto, që prej shumë e shumë kohe. Kremtimi do të fillojë natën e festës, me lutjet mbrëmësore, kryesuar nga Benedikti XVI në bazilikën romake të Shën Palit jashtë mureve, në orën 18.00, e do të vijojë me Meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, të martën e ardhshme, në orën 9.30. Për kuptimin e këtij solemniteti, të dëgjojmë drejtorin e përgjithshëm të Radios sonë, atë Federiko Lombardi:.....RealAudioMP3

 
“Festa e Shenjtorëve Pjetër e Pal është ‘më romakja’ ndërmjet festave. Në të vërtetë Roma është kjo që është për Kishën universale, pikërisht sepse vend i martirizimit dhe i varreve të dy apostujve të mëdhenj. Në këtë festë, në Romë vijnë kryeipeshkvijtë e rinj, të emëruar gjatë vitit, për të marrë nga dora e Papës ‘palion’, të cilën do ta mbajnë mbi shpatulla gjatë kremtimeve liturgjike, si shenjë bashkimi me të, në udhëheqje të kishave të tyre e në kujdesin për bashkimin e Kishës universale. Paliot ruhen në kamaren më pranë varrit të Pjetrit, nën elterin qëndror të bazilikës, pikërisht poshtë kupolës së madhe, ku rreh zemra e bashkimit të Kishës.
Në këtë festë, në Romë vjen edhe një delegacion i Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, për të shprehur vëllazërimin ndërmjet Kishave ortodokse e Kishës katolike, me shpresën e bashkimit më të plotë.
Nga Roma, qysh prej dymijë vjetësh, drejtohen sytë e atyre, që besojnë, shpresojnë e punojnë për bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin. Në Romë shtegtari vjen për të rigjetur dëshmitë e kësaj historie të trazuar, plot pasion, për bashkim. Vështrimi i Apostujve, të nderuar e të pranishëm këtu, që nga kohët më të lashta, siç e dëshmojnë edhe zbulimet e kohëve të fundi në katakombet e Shën Teklës, na shoqëron në udhën tonë. Feja e fortë e pasardhësit të Pjetrit, leximi që i bën ngjarjeve, i prirë nga Shpirti Shenjt, mbetet pikëmbështetja më e sigurtë për ke dëshiron të ndjekë Jezu Krishtin, së bashku me besimtarët e tjerë, në rrjedhën e përditshme të ngjarjeve të historisë sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.