(27.06.2010 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën e XIII të kohës së zakonshme
gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Qirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv
e dijetar i Kishës.
Nesër, e hënë, në kalendar shënohet festa liturgjike
e Shën Ireneut, ipeshkëv i Lionit e martir. Është edhe nata e solemnitetit të Kryeapostujve
Pjetër e Pal. Nisin kremtimet papnore në bazilikat e mëdha të Romës e në të gjitha
Kishat e botës kushtuar Apostujve të mëdhenj, që na ftojnë të lutemi: “Fali, o Zot
pabesitë e popullit tënd!”.
Liturgjia e së martes është ajo e festës
së Shën Pjetrit e Shën Palit Apostuj, Pajtorë të Romës. Kujtojmë se trupi
i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, që mban emrin e tij e që është
zemra e Kishës katolike universale; ndërsa trupi i Shën Palit, në Bazilikën me emrin
e Apostullit të Popujve, jashtë mureve të Romës, atje ku pësoi martirizimin me prerjen
e kokës. Dje të martirizuar, sot ndër Shenjtorët më të nderuar të Kishës katolike.
Bekuar qoftë Zoti, që i çliron miqtë e tij- brohorisim me Psalmistin!
Martirët
e parë të Kishës romake, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se vetëm
njeriu, i cili ecën në rrugë të drejtë, do të shohë shpëtimin e Zotit.
“Gjykimet
e Zotit janë besnike e të drejta”. Është meditimi kryesor, që përshkon liturgjinë
festës së Shenjtorëve Juli e Aroni, martirë të Bretanjës dhe Shën Aroni, vëllai i
Mosiut, prift i Besëlidhjes së Vjetër, që do të kremtohen të enjten.
Të
premten përkujtohen Shenjtorët Bernardini e Otoni; Procesi e Martiniani, martirë
romakë dhe Shën Eutiki, martir. Na kujtojnë, me liturgjinë e festës e sidomos, me
jetën e tyre, se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja
e Zotit!
“Atij që beson në Zotin, nuk do t’i mungojë, një ditë, shpërblimi
i Tij, më i madhi ndërmjet shpërblimeve: jeta e pasosur në Krishtin Jezus!”. Është
ky meditimi kryesor i liturgjisë në festën e Shën Tomës Apostull, që do të kremtohet
të shtunën.
E diela e ardhshme është e XIV e kohës së zakonshme
gjatë vitit kishtar.