2010-06-26 19:53:12

Debat në Evropë, në mbrojtje të Kryqit: “Simbol identiteti e tradite”.


(27.06.2010 RV)Në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën për prishje vendimi, paraqitur nga Italia, e cila kërkon t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike, në mbarë Evropën vijon debati. Ipeshkvijtë katolikë ngrejnë zërin, duke bërë thirrje për vëmendje ndaj ndjenjave fetare të popullsive e traditave të kombeve.

Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ngriti zërin për të mos e ndaluar ekspozimin publik të simboleve fetare, posaçërisht në vende ku formohen mendjet e zemrat, duke pasur mirë parasysh se këto simbole nuk pengojnë, as nuk dëmtojnë njeri. Në deklaratën, nënshkruar nga zevendës-kryetari i kësaj Konference, imzot Anxhelo Masafra, shpjegohet se në kulturën e në traditën e krishterë, kryqi është simbol i shpëtimit dhe i lirisë për mbarë njerëzimin, shkalla më e lartë e dhurimit të vetvetes, e solidaritetit të thellë dhe e bujarisë, të vënë në shërbim të të gjithëve.

Komisioni i Konferencës ipeshkvnore spanjolle, në një komunikatë shtypi, nënvizon se falë krishterimit, Evropa arriti pavarësinë në fushat shpirtërore e shtetërore, sipas parimit të lirisë fetare, që respekton njëlloj të drejtat e besimtarëve e të jo besimtarëve. Këtë e shohim qartë në ditët tona, kur fe të tjera përhapen ndërmjet nesh, nën mbrojtjen e këtij realiteti. Të mos harrojmë: “Kryqi është simbol dialogu, që i përfshin të gjithë e nuk përjashton askënd”.

Ipeshkvijtë anglezë kërkojnë nga Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut të mos marrë vendime në mbrojtje të lirisë së individëve, duke u nisur nga feja e shtetit, gjë që mund ta shtyjë t’u kërkojë të gjitha vendeve evropiane t’i përshtaten modelit të shekullarizmit, që i kundërvihet çdo manifestimi fetar në sferën publike.

Kardinali Keith O’Brien, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve skocezë, duke marrë pjesë në debat, jep alarmin: “Ndërsa jemi në pritje të vendimit të Gjykatës duhet të kemi mirë parasysh pasojat, që mund të ketë ky vendim. Trashëgimia e çmuar fetare e shumë njerëzve e kombeve të mbarë Evropës, ashtu si dhe vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë, që duhen mbrojtur në shoqëritë demokratike, janë në rrezik!”.

Ipeshkvijtë katolikë rusë, theksojnë se Kryqi është simbol i trashëgimisë shpirtërore të Evropës. Prandaj urojnë të mos merren vendime, të cilat cënojnë pluralizmin e lirinë e ndërgjegjes së njerëzve, që dëshirojnë të jetojnë në përkim me trashëgiminë shpirtërore e kulturore të Kontinentit tonë”.

Për ipeshkvijtë çekë, Kryqi është element pozitiv. Imzot Dominik Duka, kryetar i ipeshkvijve të Çekisë, në një letër drejtuar imzot Aldo Xhordanos, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, shkruan: “Krishtërimi, në formën e kulturës judaiko-kristiane, ka qenë i pranishëm në lindjen e në formimin e qytetërimit evropian dhe amerikan, e deri më sot, këto vlera janë të vetmet që mund t’i sigurojnë Evropës gjallëri e forcë. Nuk mund të mohohet se janë në themel të Kontinentit, të jetës së tij, të kulturës së tij. T’i përjashtosh, do të thotë të trandësh themelet e të gjitha lirive.

Ipeshkvijtë bullgarë theksojnë: “Askush nuk mund të dyshojë se rrënjët e Evropës janë të krishtera e se qytetërimi evropian ekziston falë krishterimit. Kryqi nuk është mjet që imponohet, por shprehje e dashurisë më të thellë, e solidaritetit më të vërtetë, e miqësisë më të madhe me të gjithë njerëzit. Prandaj vendet me traditë të krishterë, nuk duhet ta mohojnë praninë e ekspozimin në vende publike të simboleve tradicionale të krishtera, si kryqi e ikonat.

Konferenca ipeshkvnore greke, përmes një note, pohon: “Një pakicë nuk mund e nuk duhet ta pengojë shumicën dërrmuese të ushtrojë fenë e vet, sipas traditave të popullit”.

Ipeshkvijtë polakë, në përfundim të sesionit të 352-të plenar të Konferencës ipeshkvnore, theksuan se në shoqëritë me traditë të krishterë, Kryqi duhet të ekspozohet në vende publike, si mjediset ku mësojnë fëmijët e të rinjtë, në spitale e në zyra, sepse na kujton kush jemi!”.

“Kryqi është simbol shëlbimi e lirie për të gjithë njerëzit” – deklaron kryeipeshkvi i Estergom-Budapestit, kardinali Peter Erdë, kryetar i Konferencës ipeshkvnore hungareze. Duhet të jetë i pranishëm, prandaj, atje ku edukohet e ku punohet për të lehtësuar vuajtjet njerëzore, përndryshe shoqëritë evropiane nuk do të jenë në gjendje t’u transmetojnë breznive të reja identitetin e vlerat e tyre.

“Prania e simboleve të fesë së krishterë e posaçërisht e Kryqit, nuk përjashton askënd”. Këtë pohojnë në një notë ipeshkvijtë e Sllovakisë, për të cilët Kryqi është shenjë identiteti shpirtëror, simbol i dialogut, i dashurisë për të varfërit e të vuajturit, pa dallim feje, ideje, kombësie, race. Është simbol i dashurisë më të lartë për tjetrin. Atje ku adhurohet me fe të vërtetë Kryqi, atje ka dashuri pa kufij, dashuri që çon në vetmohim, për ata që e duan e për ata që e urrejnë kryqin.

“Kryqi nuk është shenjë e imponimit të fesë së krishterë, por simbol i dashurisë së krishterë, i bujarisë, i solidaritetit” - pohojnë ipeshkvijtë rumunë. Është edhe simbol kulturor e shoqëror, nga i cili janë frymëzuar në shekuj vlerat e kombeve, që përbëjnë bashkimin evropian. Mos të kthehemi tek kujtimet e hidhura të komunizmit, kur Kryqi e simbolet e tjera të feve, u ndaluan me ligj në të gjithë Evropën Lindore. Rikthimi i tyre u konsiderua si një nga fitoret më të mëdha të demokracisë e të lirisë mbi totalitarizmin e shtypjen”.

Më 30 qershor, përpara Dhomës së madhe të Gjykatës evropiane, qeveria italiane do të pëpiqet ta hedhë poshtë vendimin, me të cilin Dhomat e organizmit dënuan, më 3 nëntorin e kaluar, Italinë, për ekspozimin e Kryqit në shkolla!








All the contents on this site are copyrighted ©.