2010-06-25 18:35:02

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit e priti me habi e indinjatë mënyrën e kontrollit në kryeipeshkvinë e Brukselit nga autoritetet belge.


(25.06.2010 RV)Lidhur me hetimet, që kanë të bëjnë me shpërdorimet nga ana e disa anëtarëve të klerit mbi të miturit, sot Sekretaria e Shtetit të Vatikanit shprehu indinjatën dhe habinë e thellë, për mënyrën me të cilën forcat belge të rendit kontrolluan dje selinë e kryeipeshkvisë së Malines-Brukselit, ku prelatët e vendit ishin mbledhur për asamblenë e tyre mujore. Sekretaria e Shetit bëri të vetin qëndrimin e episkopatit belg, shprehur në një deklaratë të zëdhënësit të Konferencës ipeshkvnore të Belgjikës.
Më qartë: dje, sipas zëdhënësit të Konferencës ipeshkvnore belge, Eric de Beukelaer, gjatë takimit mujor të ipeshkvijve belgë, forcat e policisë hynë, rreth orës 10.30, në selinë e kryeipeshkvisë, duke komunikuar se duhet të ushtronin një kontroll, pas disa denoncimeve për shpërdorime seksuale në territorin e kryedioqezës. Nuk u dha kurrfarë shpjegimi tjetër, por u konfiskuan të gjitha dokumentet dhe telefonët celularë e u lajmërua se asnjë nga të pranishmit nuk duhet të largohej nga kryeipeshkvia. Kjo gjendje zgjati deri në orën 19. 30. Gjatë kësaj kohe u morën në pyetje të gjithë anëtarët e Konferencës ipeshkvnore, si dhe ata të personelit.
Ipeshkvijtë nuk duan të bëjnë tani për tani asnjë koment të tepërt, saktëson zëdhënësi i Konferencës, duke nënvizuar se kanë besim të plotë në drejtësinë dhe përsërisin qëndrimin e tyre kundër çdo shpërdorimi mëkatar e kriminal të të miturve nga ana e njerëzve të klerit, ashtu si edhe gatishmërinë për t’i vënë në vend dëmet e shkaktuara, në përkim me drejtësinë e me mësimet e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.