2010-06-25 19:25:29

Në Romë mbahet simpoziumi VII ndërkombëtar i universitarëve, kushtuar “Caritas in Veritate”.


(25.06.2010 RV)Njeriu duhet vënë gjithnjë në qendër të interesave ekonomike e, ndërmjet prodhimit e shpërndarjes, duhet të ketë gjithnjë drejtpeshim, sepse vetëm kështu mund të flitet për të mirën e përbashkët e për ekonomi të drejtë. Me këto fjalë, kardinali Turkson, kryetar i Këshillit Papnor për drejtësi e paqe, hapi dje pasdite Simpoziumin VII ndërkombëtar të pedagogëve universitarë, me temë: “Caritas in Veritate”(E Vërteta, thënë me dashuri); drejt një ekonomie në shërbim të familjes njerëzore. Njeriu, shoqëria, institucionet”, në të cilin marrin pjesë më se 500 studentë universitarë, së bashku me pedagogët e tyre. Mitingu, organizuar nga Zyra baritore universitare e dioqezës dhe nga dikasteri, kryesuar nga kardinali Turkson, u hap dje në Romë, pranë qendrës kombëtare të kërkimeve shkencore e përfundon nesër. Është fjala për enciklikën e Benediktit XVI e cila, sipas atyre që morën fjalën në simpozium, mund të jetë magna carta e impenjmit për risimin e kulturës, sepse ofron një plan të ri për organizmin e njerëzimit, që i kapërcen drejtpeshimet globale.
Sot, në takim, Enciklika papnore u analizua jo vetëm në këndvështimin ekonomik, por edhe në atë financiar, historik e ambiental.
Kujtojmë se një vit më parë, më 29 qershor, Ati i Shenjtë nënshkruante enciklikën e tij ‘Caritas in Veritate’, që u botua, pastaj, më 7 korrik. Enciklika përfundon me fjalët e Shën Palit: “Dashuria nuk duhet të jetë hipokrite; hiqni dorë nga e keqja, ndiqni veprat e mira; duajeni njeri-tjetrin me dashuri vëllazërore! Prijini njëri-tjetrit, duke e nderuar shokun më parë e më tepër!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.