2010-06-25 18:36:44

Liderët e G20 mblidhen në Toronto për të shpëtuar ekonominë.


(25.06.2010 RV)Udhëheqësit e G8 janë tashmë në Hunsville, qytezë e rrethuar me pyje, në breg të liqenit të Ontarios, 150 kilometra larg Torontos, ku do të zhvendosen nesër për të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të 20 ekonomive më të rëndësishme të botës, që do të vijojë deri më 27 qershor. Në qendër të vëmendjes: masat për përballimin e krizës dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Krerët e shteteve dhe zyrtarët më të lartë të financave do të shkëmbejnë mendime për monedhën, tregëtinë dhe defiçitin buxhetor. Do të analizojnë krizën evropiane të borxheve, rregullat për firmat financiare, taksat, veprimtarinë e bankave e çështje të tjera, pa harruar problemet më të mprehta të politikës ndërkombëtare, nga situata në Lindjen e Mesme, tek ajo në Afganistan; nga Irani, tek terrorizmi e tek siguria e ndihma që u duhet dhënë vendeve më të ligështa. Sot paradite në Hunsville arritën edhe presidenti amerikan, Obama, e ai rus, Medvedjev, pas takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Për të na folur mbi këtë takim të rëndësishëm, me ndikim mbi gjithë ekonominë botërore, ftuam në mikrofonin tonë, drejtorin e Institutit Evropa të studimeve të politikës ndërkombëtare, Antonio Vilafranka:RealAudioMP3

Përgjigje: - Duke nisur nga 2009, nga Pitsburgu, G20 tashmë është bërë forum ndërkombëtar, në të cilin diskutohen çështjet ekonomike. G.8 do të kufizohet, pra, në takimin përgatitor. Në G8 mbeten disa tema të posaçme, si ato që lidhen, për shembull, me ndihmat për zhvillim. Shpresojmë se në këtë drejtim, kësaj radhe nuk do të ketë vetëm premtime të bujshme, por do të thuhet diçka më konkrete. Mbetet, pastaj, problemi i politikës së jashtme, i sigurisë posaçërisht, i përhapjes së armëve bërthamore, i terrorizmit. Të gjitha këto tema do të diskutohen, ndonëse nuk duhet të presim, objektivisht, rezultate shumë konkrete, edhe pse në takimin e madh është një vend, si Rusia, që ka vizion krejt të veçantë mbi këto tema.

Pyetje: - Sunduese në takim janë probelemet ekonomike. Nuk do të mungojnë divergjencat lidhur me vënien e taksave e të rregullit mbi bankat e mbi tregjet, me masat antikrizë e posaçërisht, me divergjencat Evropë–SHBA: Do të jetë kjo, bërthama e debatit?

Përgjigje: - SHBA e Evropa paraqiten duke u nisur nga situata të ndryshme: SHBA, me shenjat e druajtura të rritjes, Evropa, me ato të një një krize ende të thellë, që rëndon posaçërisht mbi Eurozonën. Bashkimi Evropian paraqitet në takim i dobtë e ka shumë mundësi të ndeshet me SHBA, kur të bëhet fjalë për hapat që duhen bërë për të dalë nga kriza.

Pyetje: - Po roli i Kinës, cili do të jetë, sipas jush?

Përgjigje: - Sigurisht do të ketë hapësirë të madhe për vendet emergjente, me një Kinë, që është e vetëdijshme se prishja e ekuilibrit ndërkombëtar, mbi të cilin ka ndikuar, i bie ndesh interesave të saj. Është e qartë se Kina do të kërkojë më shumë hapësirë, e në se nuk i jepet, institucionet ndërkombëtare do të funksionojnë edhe më keq, ose edhe më pak, pikërisht sepse nuk janë në gjendje ta kryejnë si duhet detyrën e tyre. Duhet përballuar problemi më i mprehtë: ai i një qeverisjeje botërore, në të cilën Bashkimi Evropian duhet të ketë rolin e vet, pa harruar edhe Kinën. Në sa problemi ka të bëjë me rolin e SHBA e me atë të aktorëve të rinj të mëdhenj ndërkombëtarë, që kërkojnë vendin e tyre. Prej këndej, rreziku, që të mos arrihen rezultate konkrete, është vërtetë e ndjejshëm.

Udhëheqësit e G20 drejtojnë vende ku jetojnë dy të tretat e popullsisë së botës, të cilat sigurojnë 90% të prodhimit ekonomik dhe 80% të tregëtisë botërore. Të përfshirë nga kriza financiare globale, ndjejnë nevojën për të gjetur rrugë më efikase për normalizimin e veprimtarisë së firmave financiare, rrugë që mbeten ende të papërcaktuara.
Disa ministra financash po u bëjnë thirrje bankave të pakësojnë kreditë dhe të mbajnë më shumë kapital në dispozicion në rast se një hua ose investim del pa sukses.
Ide të tjera përfshijnë uljen e huasë që marrin bankat për investime dhe gjetjen e mënyrave për të përballuar problemin e kompanive financiare të dështuara, duke minimizuar dëmin mbi pjesës tjetër të ekonomisë.
Pritet që në takim udhëheqësit të vendosin për t’u vënë taksa bankave, në mënyrë që të mbulojnë koston e problemeve të ardhshme financiare.
Takimi i Torontos do të jetë shumë i rëndësishmëm për të analizuar situatën e tanishme dhe për të parë mundësinë e miratimit të rregullave të reja që do të miratohen përfundimisht në Seul.
E kjo sepse pa bashkëpunim, vendet e 20-es e kanë tepër të vështirë t’i mbajnë nën kontroll firmat a tyre financiare. E kjo, sepse institucionet financiare veprojnë përtej kufijve, janë shumë-kombëshe, globale, prandaj duhet të ketë rregulla globale për ta përballuar çdo rrezik krize. E kriza evropiane e borxhit është një nga çështjet kryesore të takimit të 20-es.
Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu për pabarazitë e tregëtisë globale, duke vënë theksin tek mungesa e ekulibrit, që bëhet burim burim tensionesh politike ndërmjet vendve të ndryshme.
Udhëheqësit e tetë vendeve më të industrializuara të njohura si Grupi i Tetëshes, i nisën sot, në pikën turisitike të Hunsvill-it në Kanada, diskutimet paraprake mbi çështjet që do të analizohen, sidomos nesër, në Toronto, ku do të mbahet takimi i 20-es..







All the contents on this site are copyrighted ©.