2010-06-25 18:34:50

Benedikti XVI asamblesë së Roaco: paqe e liri fetare për Lindjen e Mesme.


(25.06.2010 RV)“Toka e Shenjtë, Iraku, Lindja e Mesme, kanë nevojë për dhuratën e paqes së qëndrueshme e të bashkëjetesës solidare”. Kështu u shpreh sot Papa, i cili u kërkoi përsëri krerëve të kombeve të garantojnë në mënyrë reale, pa dallim e në çdo vend, praktikimin publik e komunitar të bindjeve fetare të njeriut. E pohoi këtë, gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit e asamblesë së Roaco – (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), duke pasur parasysh sidomos situatën në Lindjen e Mesme, në sa pas pak ditësh do të merret vendimi evropian mbi ekspozimin e Kryqit në vendet publike. Gjatë fjalimit, mbajtur në shumë gjuhë, pas përshëndetjes që iu drejtua nga kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi kushtet në të cilat jetojnë shumë të krishterë të Lindjes së Mesme, të cilëve iu drejtua me këto fjalë: RealAudioMP3

“J’ encourage les frères et sœurs qui, en Orient... ” 
“U jap zemër vëllezërve e motrave të Lindjes së Mesme, që i bashkon dhurata e paçmuar e Pagëzimit, ta ruajnë fenë e, ndonëse u duhet të bëjnë flijime të mëdha, të mos largohen nga trojet e të parëve, por të jetojnë aty, ku u lindën. Njëkohësisht, theksoi, i nxis emigrantët lindorë të mos e harrojnë origjinën e tyre, posaçërisht atë fetare”.
Tregoi, kështu, se është gjithnjë pranë të krishterëve, që pësojnë dhunë për shkak të Ungjillit, duke ia besuar Zotit të sotmen e të ardhmen e tyre.
Ndërsa, pa e kujtuar drejtpëdrejtë, por duke e nënkuptuar, debatin lidhur me ekspozimin e Kryqit, Papa u shpreh:
“Je compte toujours sur les Responsables…”
“Shpresoj gjithnjë tek prijësit e kombeve, me besim se do të garantojnë në mënyrë reale, pa dallim e kudo, praktikimin publik e komunitar të bindjeve fetare të çdo njeriu”.
Benedikti XVI uroi për popujt e Tokës Shenjte e të gjithë Lindjes së Mesme, paqe e bashkëjetësë të qëndrueshme, të cilat, pohoi, lindin nga respekti për të drejtat e njeriut, të familjeve, të bashkësive e të popujve si dhe nga kapërrcimi i çdo forme të diskriminimit fetar, kulturor e shoqëror. Ia besoj Zotit, por edhe ju, shtoi, duke iu drejtuar të pranishëmve, thirrjen që bëra në Qipro për paqe në Lindjen e krishterë”:
“Liebe Freunde, tragt mit eurem Engagement...”
Të dashur miq - tha Papa- me impenjimin tuaj, kontribuoni posaçërisht që meshtarët e Kishave lindore ta pasqyrojnë, në kohën tonë, këtë trashëgimi shpirtërore”.
Në se meshtarët, në shërbimin e tyre, udhëhiqen nga arsye vërtet shpirtërore, vijoi Papa, shekullarët do të përforcohen në impenjimin për t’u marrë me punë tokësore, në dritën e thirrjes së tyre të krishterë. Kujtoi, më pas, Sinodin e ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mbahet tetorin e ardhshëm, por që ka nisur tashmë të japë fryte bashkimi e dëshmie, për të cilat edhe është thirrur:
“I am pleased at the broad cooperation…”
“Shpreh kënaqësinë time – tha Benedikti XVI- për bashkëpunimin e gjërë të Roaco-së me Kishat Lindore, lidhur me këtë ngjarje të madhe”.
Në pjesën e fjalimit, shqiptuar në gjuhën italiane, Papa kujtoi imzot Luigji Padovezen dhe vijoi t’u japë zemër të krishterëve të Lindjes së Mesme:
“Të dashur miq – u tha- ju ftoj të jepni ndihmesën, përmes veprave tuaja, për ta mbajtur gjallë shpresën, që nuk zhgënjen, ndërmjet të krishterëve të Lindjes. Në grigjën e tyre të vogël shihet tashmë ardhmëria që dëshiron për ta Zoti e rruga e ngushtë, që po përshkojnë, përshkruhet në Ungjill si rrugë drejt jetës”.

 
Situata në Tokën e Shenjtë ishte këto ditë në qendër të vëmendjes, në takimin e 83-të të Asamblesë së Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore). Si nunci apostolik në Izrael, kryeipeshkvi Antonio Franko, ashtu edhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, folën për situatën në Lindjen e Mesme, duke vënë theksin tek nismat në mbrojtje të të krishterëve. U vërejt, lexojmë në një komunikatë, se nuk mungojnë përpjekjet për t’u siguruar të krishterëve të Tokës së Shenjtë e të mbarë Lindjes së Mesme, një ardhmëri më të mirë.
Gjatë takimit, u shkëmbyen gjallërisht mendime lidhur me veprimtaritë parësore baritore, shoqërore, edukative e asistenciale të Kishës. Vëmendje e posaçme iu kushtua sfidës ekumenike e ndërfetare. E, sidomos, u theksua se pritet shumë nga Sinodi i ardhshëm, kushtuar Lindjes së Mesme. Qëndrimi tejet i vëmendshëm ndaj Instrumentum Laboris, nënvizon komunikata, dëshmon qartë solidaritetin e Kishës universale për të krishterët, që përpiqen ta ruajnë trashëgimin e fesë së tyre në bashkësi kishtare plot gjallëri, pranë viseve, të cilat mbarë njerëzimi i quan ‘Shenjte’ sepse i ruajnë, të gjalla, kujtimet e Shëlbimit të mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.