25 Qershor, përkujtohet masakra kundër popullsisë çame
(25.06.2010 RV)Sipas agjensive të shtypit shqiptar, sot, më 25 qershor, bashkësia
shqiptare çame në Shqipëri, përkujtoi masakrën mbi popullsitë e pafajshme, të kryer
nga trupat e rregullta ushtarake greke, udhëhequr nga Napolon Zerva. Në Kllogjer
të Sarandës prehen 2700 persona të vdekur rrugës, gjatë eksodit të popullsisë së pafajshmë
dhe të pambrojtur çame, që ikte për ti shpëtuar genocidit dhe dhunës greke. Fundi
i luftës së dytë botërore, kujtohet edhe si fillimi i kalvarit të vuajtjeve të kësaj
popullsie, së cilës në vitin 1944 iu konfiskuan pronat dhe u përzu me dhunë nga vatrat
shekullore, prej trupave të rregullta greke. Napolon Zerva ishte një nga gjeneralët
grekë që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë. Këta të fundit i lanë dorë të lirë për
masakrat ndaj popullsisë çame. Në 25 qershor 1944, (datë, në të cilën komuniteti
çam kujton viktimat e genocidit) forcat e Zervës ekzekutuan në mënyrë barbare
2000 çamë brenda një nate në qytetin e Paramithisë. Viktimat ishin kryesisht gra dhe
fëmijë. Kjo ishte një nga masakrat më të egra të grekëve ndaj popullsisë autoktone
shqiptare, në luftën e dytë botërore. Bëhet fjalë për një genocid, të pa dënuar
akoma nga shteti Grek.