2010-06-24 16:16:00

Spanjë: Tragjedi në stacionin hekurudhor të Kasteldefels. 12 të vdekur dhe 14 të plagosur. Kard. Sistak: solidaritet dhe ngushëllime familjeve të viktimave.


(24.06.2010 RV)Ditë zie sot në të gjithë Katalonjën shpallur nga autoritetet pas aksidentit të rëndë hekurudhor në stacionin e Kasteldefelsit, ku një tren i shpejtësisë së lartë mori para një grup të rinjsh që po kapërcenin shinat duke shkaktuar 12 të vdekur dhe 14 të plagosur. Kryetari i qeverisë autonome të Katalonjës Hoze Montija, tha se aksidenti erdhi si pasojë e pakujdesisë të të rinjve të cilët kishin mbërritur pak para mesnatës nga Barcelona për të festuar në plazh natën e Shën Gjonit. Të rinjtë, në vend që të dilnin nga stacioni i trenit nëpërmjet kalimeve të nëndheshme siç parashikojnë normat e sigurisë, kishin kapërcyer binarët pikërisht kur po kalonte një tren i shpejtësisë së lartë. “Solidaritet dhe ngushëllime familjeve të viktimave dhe të afërmve”, shpreh në një telegram kryeipeshkvi i Barcelonës kard. Luis Martinez Sistak. Në telegram imzot Sistak i fton të gjithë të luten për viktimat dhe të plagosurit dhe i fton famullitë të kremtojnë Meshën e së dielës së ardhshme për shpirt të viktimave dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Aksidenti i natës së kaluar është më i rëndi i tridhjetë vjetëve të fundit në vend pas atij të Çinçilës, në qershor të 2003, në të cilin, nga përplasja e një treni udhëtarësh dhe një tjetri mallrash, humbën jetën 19 vetë dhe u plagosën 38 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.