2010-06-23 16:05:08

Zbulohen ikonat e para të Apostujve në Katakombet e Shën Teklës në Romë


(23.06.2010 RV)Imazhet më të lashta të Apostujve, që datohen në shekullin IV, janë gjetur kohët e fundit në Romë, në katakombet e Shën Teklës, pas dy vjet kërkimesh e restaurimesh delikate. Ato janë ikonat e para të Shën Pjetrit, Shën Palit, Shën Andreut e Shën Gjonit. Dje, mbikqyrësi i katakombeve, prof. Fabricio Biskonti dha lajmin për gazetarët. Por ta dëgjojmë atë vetë në mikrofonin tonë:
Është një lloj varri i dyfishtë në mur, me imazhe nga repertori biblik: Jona, Pjetri që i bie shkëmbit, sakrifica e Izakut, adhurimi i Mbretërve Dijetarë, por më i rëndësishmi, që na ka lënë me gojë hapur edhe vitin e kaluar, është tavani i mrekullueshëm me florë, që duket sikur imiton tavanin e një bazilike. Ka disa shqyte. Njëri i madh, qendror, që përfaqëson Bariun e Mirë – e kjo nuk na çudit, pasi është një temë shumë e dashur për ikonografinë e katakombeve romake. Në katër shqytet e tjera janë Apostujt: shën Pali, të cilin e kemi zbuluar që vitin e kaluar, por tani gjetëm edhe imazhin e Shën Pjetrit, të Shën Andreut e të Shën Gjonit. Janë ikonat e para të Apostujve.
Kush është porositësi?
Është një matronë romake, e paraqitur sëbashku me të bijën brenda varrit: i ka dashur këto ikona të Apostujve si mbrojtje. Pra, nuk ka zgjedhur martirët romakë si shën Anjezën, apo shën Lorencin, për mbrojtje, siç ndodhte normalisht në katakombe, por Apostujt. Të mos harrojmë se në fund të shekullit IV, në Romë, po lindnin rrethe kulturore të asketizmit shtëpiak me në krye matronat e rëndësishme, të cilat ndiqnin mendimin e shën Jeronimit mbi Aventin. Këto gra aristrokate njihnin latinishten e greqishten e matrona jonë mban një rrotull në dorë: kjo do të thotë se e njihte Shkrimin Shenjt. Matronat e ndiqnin Shën Jeronimin deri në Tokën Shenjte, deri në vendet e dëshmive të krishterimit të parë, pra aty ku kishin jetuar Apostujt. Nga ato toka sillnin me vete kujtimin e Apostujve. Mendimtarët e mëdhenj të momentit – Ambrozi, Jeronimi – udhëhiqnin kultin e devocionin e paganëve të fundit, të atyre paganëve, që bënin pjesë në familje aristrokatësh, në senat, që vërtet u kthyen të fundit në krishterim, por kur e bënin këtë, zgjidhnin shpesh rrugën e përkushtimit, në këtë rast, të përkushtimit ndaj Apostujve.
Një vlerë e madhe historike, fetare, por edhe artistike…
Me këtë varr shkruhet një faqe e re në historinë e artit. Ne absolutisht nuk e dinim se në fund të shekullit IV ishin përcaktuar fizionomitë e Apostujve, me këto karakteristika fizionjomike. I njihnim Apostujt përmes ikonave të artit të Ravenës, por jemi në shekullin V e ndoshta në atë VI. Në Kapelën e kryeipeshkvisë së Ravenës, në kishën e Shën Vitalit në këtë qytet ekzistojnë imazhet e shën Andreut e të shën Gjonit, por jemi një shekull më vonë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.