2010-06-23 18:54:45

Nesër Papa do të shkojë në Qendrën “Don Orione”, për të bekuar Shtatoren e Zojës së Monte Marios.


(23.06.2010 RV)Nesër Benedikti XVI do të shkojë në Qendrën “Don Orione”, në zonën romake të Monte Marios, për t’u lutur e për të bekuar shtatoren e madhe të Zojës “Shpëtimi i popujve romakë”, që vigjëlon mbi Romën, restauruar e rivendosur mbi kullën, ku lartohej para shembjes.
Papa do ta nisë vizitën e shkurtër në Qendrën “Don Orione” në orën 10.30. Do të shkojë për t’iu lutur Zojës, duke u gjunjëzuar para shtatores së saj në Monte Mario, me gjatësi 9 metra, punuar në bakër të praruar, rrëzuar nga piedestali i saj, i lartë 19 metra, pas një stuhie të fortë, më 12 tetorin e kaluar. Ngjarja i preku thellë besimtarët romakë të cilët, plot dashuri e devocion, kërkuan ta shikonin sa më parë Zojën në vendin e vet. E kjo ishte edhe dëshira e Benediktit XVI që, në një mesazh drejtuar Eprorit të përgjithshëm të Orioninëve, pati uruar që shtatorja të rivendosej sa më shpejt, si simbol i devocionit të të gjithë romakëve.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Papa do të vizitojë Manastirin Domenikan të Zojës Rruzare,gjithnjë në Monte Mario, ku do të takohet me bashkësinë e murgeshave të klauzurës. Në manastir ruhet ikona e lashtë e Virgjërës Hagjosorritisa, e njohur edhe si Zoja e Shën Lukës, vepër e shekullit VII, si dhe disa relike të çmuara të Shën Dedës, të Shën Katerinës nga Siena e të shenjtorëve të tjerë domenikanë. Papa do të jetë në Vatikan rreth orës 12.
Ja si shprehet pasardhësi i shtatë i Don Luigji Oriones, don Flavio Pelozo, për vizitën e Papës:

Përgjigje: - Është një vizitë që kurorëzon rikthimin e shtatores së Zojës së Monte Marios, Zojës ‘Shpëtimi i popujve romakë’, simbol vërtetë fetar, por edhe simbol i lidhur ngushtësisht me historinë e Romës. Prandaj do të jetë një festë popullore, me pjesëmarrjen e gjithë qytetit. Jemi gati, në pritje, plot gëzim! Për ne, pastaj, përkon edhe me festën e Papës, që Don Orione e themeloi në vitet ’30; e ne, çdo vit, me rastin e festës së Shën Pjetrit, e kremtojmë në mbarë botën.

Pyetje: - Pse është e rëndësishme për Romën, shtatorja e Zojës ‘Shpëtimi i popujve romakë”?

Përgjigje: - Gjithçka na kujton periudhën e Luftës II Botërore: bombardime, rrezik, sidomos mbas zbarkimit në Ancio të aletaëve, që marshonin drejt Romës…. Shtegtimi i shkurtër i Papës për bekimin e Shtatores së restauruar ka një kuptim të thellë fetar e civil për mbarë qytetin, sepse kujton këto ngjarje historike, që kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën popullore. Ideja për t’i lartuar një monument Virgjërës Mari, lindi pikërisht në këto vite të dhimbshme lufte. Një grup miqsh të Don Oriones, ndërmjte të cilëve, edhe Gjovani-Batista Montini, Papa i ardhshëm Piu XII, e bënë këtë kusht, që Zoja e Bekuar ta mbronte qytetin nga tmerret e luftës. Me kushtin e tyre u bashkuan më se një milion vetë. Me gëzim të madh, djemtë e Don Oriones, mblodhën derë më derë bakrin, që duhej për realizmin e shtatores, e cila u lartua përballë qytetit, si Roje e Pajtore e amshuar, në Pashkët e vitit 1953.







All the contents on this site are copyrighted ©.