Thirrja e ipeshkvijve francezë për të mëdhenjtë e botës
(22.06.2010 RV)Edhe ipeshkvijtë francezë u kanë bërë thirrje vendeve të G20-ës
të veprojnë sa më shpejt në favor të një ekonomie, që t’u japë besim personave dhe
familjeve të varfëruara për shkak të krizës. Në deklaratë, ipeshkvijtë paraqesin dy
konsiderata. Së pari, shqetësimi për borxhin publik nuk mund t’u kalohet brezave të
ardhshëm e viktimat e para të planeve financiare për të dalë nga kriza janë familjet
në vështirësi. Prandaj, prelatët francezë u kërkojnë të mëdhenjve të Tokës t'i marrin
seriozisht simptomat si kriza e banesave, papunësia, vështirësia e të rinjve dhe e
personave me moshë më të madhe se 50 vjeç për të gjetur punë. Janë situata që çojnë
drejt padrejtësisë dhe dhunës, theksojnë ata. Së dyti, ipeshkvijtë denoncojnë gjendjen
konfuze në të cilën ndodhen tregjet financiare dhe pyesin nëse janë marrë vërtet masat
për të mos përsëritur gabimet e mëparshme. Tashmë, theksojnë prelatët, loja financiare
është zhvendosur në vendet me zhvillim të shpejtë. Jemi akoma në kohë të veprojmë,
përfundojnë ipeshkvijtë, që ekonomia e financa të jenë në shërbim të të gjithëve.