2010-06-22 17:46:38

Imzot Anxhelo Skola në simpoziumin ndërfetar të fondacionit “Oasis” në Bejrut: feja të mos kushtëzohet nga ideologjia.


(22.06.2010 RV)RealAudioMP3 “Edukimi ndërmjet fesë dhe kulturës”. Në Bejrut u mbajt sot takimi i gjashtë i Fondacionit ndërkombëtar “Oasis”, themeluar në 2004 nga kardinali Anxhelo Skola, patrik i Venecies, për të promovuar njohjen e ndërsjellë ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. I pranishëm në të gjithë botën, me një revistë shumëgjuhëshe, njuzletër, një seri librash dhe një sit internet, fondacioni “Oasis” vazhdon rrugën e vet filluar në Venecie e që deri tani është përshkuar nëpër Kajro dhe Aman. Në këto takimi flitet gjithmonë për bashkim dhe shumëllojshmëri, për të drejtat themelore, për liri fetare, për përzierje të qytetërimeve, të kulturave dhe të traditave. Të pranishëm në kryeqytetin libanez disa dhjetra studiues, docentë, ipeshkvijë katolikë dhe përfaqësues islamikë nga e gjithë bota.
Në mikrofonin tonë flet vetë Imzot Skola, i cili sot paradite mbajti kumtesën hyrëse “Edukimi si paideia: një propozim për kohën tonë.”.

Pyetje: Hirësi, çfarë ju shtyu të flisni për edukimin në këto çaste kritike për Lindjen e Mesme, që ju në kumtesën tuaj i quajtët “shumë afër një pike prej nga nuk kthehesh dot.”?

Përgjigje: Sepse jemi të bindur – dhe kjo gjë u konfirmua nga kumtesat e dy a tre autoriteteve me peshë, islamike – që për të stabilizuar këtë situatë që është gjithmonë në buzë të humnerës, është absolutisht e nevojshme të hyjnë në një perspektivë afatmesme ose afatgjatë. Është traditë e fondacionit “Oasis” që çdo vit të diskutohet për një temë kyçe për jetën e individit dhe të familjes. Duke qenë se vitin e kaluar u fol për traditën, vumë re se tradita mbetet gjë e vdekur nëse nuk kalon nëpër fushën e arsimit, i cili i mundëson çdo brezi përvetësimin e vetë traditës, duke e lënë të hapur përballë çdo risije të nevojshme. Për shembull, kur u fol për sistemin shkollor libanez, i cili e ka problem dialogun, integrimin, jo vetëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, por edhe me druzët, kur u fol për këtë pra, dolën në pah disa pika me interes për problemin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, ndërmjet perëndimorëve dhe lindorëve, madje edhe në këto çaste tepër delikate.

Pyetje: Pra, integrimi dhe dialogu nisin që nga bankat e shkollës?

Përgjigje: Pikërisht, sepse ka shkollë e shkollë. Dhe kjo këtu u pa shumë mirë. Madje edhe vetë këtu, në Liban, ku ka shumë universitete dhe një sistem nganjëherë shumë të përparuar shkollash, qoftë shtetërore, qoftë private, ka shkollë e shkollë. Ka shkolla prej nga kanë dalë militantë të dhunës, ka shkolla prej nga kanë dalë njerëz të paqës.

Pyetje: Pra, fetë munden, të luajnë një rol pozitiv në arenën ndërkombëtare, që gjithnjë e më shumë ngjason me një fuçi baroti?

Përgjigje: Po, mund ta luajnë këtë rol, sipas meje, më shumë se kurrë. E ka njerëz, jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë, të cilët janë mjaft të ndërgjegjshëm për problemet e vështira ekzistuese. Çështja është gjithnjë apo ajo, feja nuk duhet të “infektohet” nga ideologjia. Feja përfundon në fondamentalizëm kur nuk shihet qartë nyja ndërmjet së vërtetës dhe lirisë, dhe kjo ndodh atëherë kur ideologjia politike kthehet në parazit të fesë, e instrumentalizon fenë për qëllimet e veta. Arsimi, arsimi i vërtetë, është antibiotiku kundër këtij rreziku.







All the contents on this site are copyrighted ©.