Gëzimi i takimit me Benediktin XVI në fjalët e ipeshkvit brazilian të Parakatut, në
vizitë ad Limina
(22.06.2010 RV)Vazhdon në Vatikan
vizita ad Limina e ipeshkvijve braziliane të Rajonit Leste II. Dje paradite, një grup
prelatësh u prit në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Ndër ta edhe imzot Leonardo de
Miranda Pereira, ipeshkëv i Parakatut, i cili flet në mikrofonin tonë, mbi emocionet
e takimit me Atin e Shenjtë dhe mbi frytet që ai do të sjellë për dioqezën: Është
gjithnjë i njëjti emocion: lumturia kur shohim Atin e Shenjtë, një person i përvujtë,
i qetë, i saktë, plot ndjenja njerëzore, mikpritës… Duket qartë ajo qetësi e ajo mikpritje,
që janë shenjë e dashurisë së atit universal. Prandaj, kjo vizitë e katërt “ad Limina”
ka për mua të njëjtin emocion si ajo e para, kur u takova me Gjon Palin II. Mbaj me
vete fjalët ngushëlluese të Benediktit XVI. Dje, grupi i fundit i ipeshkvijve brazilianë
ishte në audiencë tek Papa e unë i thashë Atit të Shenjtë se njerëzit e mi e duan
Papën. A keni ndjerë Benediktin XVI pranë problemeve tuaja? Po. Edhe
ipeshkvijtë e tjerë: gati të gjithë thanë të njëjtat fjalë: “Papa interesohet, Papa
është pranë problemeve tona dioqezane”… Ju e dëgjoni gjithmonë Radio Vatikanin… Në
vitin 1959 përfundova studimet e mia në seminar, por isha vetëm 23 vjeç e gjysëm dhe
sipas ligjeve të së Drejtës Kanonike nuk mund të shugurohesha meshtar. Kryeipeshkvi
im bëri një program në Radio Vatikan dhe i lajmëroi dëgjuesit në Brazil se Papa Gjoni
XXIII e kishte lejuar shugurimin tim, pavarësisht nga 23 vjeçët e mia: ishte 22 nëntor
1959!