2010-06-21 17:45:00

Portreti i një Shenjti të madh jezuit, Shën Luigj Gonzagës, parë nga një rektor jezuit Universiteti, atë Girlanda.


(21.06.2010 RV)Pajtor i të rinjve e posaçërisht i studentëve: kështu vijon ta kujtojë, në rrjedhë vitesh e shekujsh, Kisha katolike, Shën Luigj Gonzagën, i cili ndërroi kështjellën atërore e nderimet që i siguronte fisi i pushteshëm, me Shoqërinë e Jezusit. Nga fisnik që ishte, u bë rregulltar jezuit.
Sot, në Romë, u kujtua me koncertin tradicional të Bandës së Ushtrisë italiane, në Universitetin Papnor Gregorian. Tejet i pasur programi, me muzikë të kompozitorëve të shquar italianë, si Rosini, Verdi e Belini.
Por, të rikthehemi tek Shenjti i madh jezuit, portretin e të cilit na e pikturon rektori i Universitetit Gregorian, atë Xhanfranko Girlanda, në mikrofonin e Radio Vatikanit: RealAudioMP3

Përgjigje: - Shën Luigj Gonzaga duhet parë lidhur me rrethanat historike e ato familjare. Rrethanat historike janë ato të shekullit XVI; familjare - ato të një familjeje fisnike e të pushtetshme, e cila mund t’i hapte pinjollit të saj të gjitha rrugët, që të çonin drejt pasurisë e lavdisë. E duhet menduar edhe se ai ishte djali i parë. Prej këndej theksojmë se në personalitetin e tij spikat pikërisht fakti se ua ktheu shpinën gjithë këtyre mundësive, për hir të një vlere, e cila për të ishte më e madhja. Iu kundërvu, por pa zemërim, pushtetit, koprracisë, pasurisë, kënaqësive, të cilat ia shtronte nën këmbë me shumicë, familja, ku kishte pasur fatin të lindej.

Pyetje: - Ç’na transmeton sot figura e Shën Luigj Gonzagës?

Përgjigje: - Ne sot jetojmë në një shoqëri, ku gjithçka bazohet tek suksesi, tek pushteti i plotë i njeriut mbi gjithçka, që sot mund të jetë ai i teknikës, i shkencës, ndërsa asokohe ishte i fisnikërisë. Sot i riu tundohet nga dëshira për t’i pasur të gjitha pasuritë, të gjitha kënaqësitë e mishit e të gjakut, e dëshiron t’i ketë menjëherë, duke plotësuar kështu çdo dëshirë, sido që të jetë. Lufton për t’u dukur, për të fituar, për të pasur sukses. Por, a mund të ndërtohet kështu një shoqëri më e mirë për të gjithë? Madje edhe për atë, që kërkon gjithçka e menjëherë? Si mund t’i kundërvihemi një prirjeje të tillë? Me zemëratë apo me dëshmi? Duke ngritur krye kundër saj, apo duke i dëshmuar me jetë vlerat thellësisht njerëzore, thellësisht të krishtera e thellësisht shoqërore? Shën Luigji vdiq duke ndihmuar të sëmurët nga kolera, që bënte kërdinë në Romë: pikërisht duke mbartur një nga këta të sëmurë, që po vdiste në rrugë të madhe, u sëmur edhe ai vetë e edhe vdiq nga e njëjta sëmundje, në moshën 23 vjeçare. Kështu mund të themi se jeta e tij u vu edhe në shërbim të shoqërisë, të ndihmës shoqërore, të varfërve, të braktisurve të Romës.

Pyetje: - E shkurtër, jeta e Shën Luigj Gonzagës, por me gjurmë të thella. La pas një thesar vlerash… Cila është, sipas jush, vlera më e madhe?

Përgjigje: - Them se është vendosmëria për të rrokur një ideal, që e bëri krejt për vete. Ideal i madh, jo abtsrakt, por që bëhet konkret pastaj në jetën e tij, e cila perceptohet si diçka e madhe. E kjo gjë e madhe, është Jezu Krishti. Jezu Krishti i mishëruar. Zoti me mish e gjak, jo pa mish e pa gjak, si mund të duket edhe në një farë ikonografie.

Pyetje: - Pse ikonografia gregoriane e kujton në mënyrë të posaçme Shën Luigjin?

Përgjigje: - Sepse ishte nxënës i Kolegjit Romak. Ai hyri në noviciat në Shën Andrea të Kurinales e pastaj kaloi në Kolegjin Romak për studimin e filozofisë e të teologjisë.

Pyetje: - Si e ruan ateneu trashëgiminë e tij shpirtërore?

Përgjigje: - Qëllimi ynë, të paktën, është formimi i gjithanshëm, natyrisht intelektual, por një formin intelektual, që të përfshijë edhe formimin shpirtëror, formimin thellësisht njerëzor; formimin, që mishëron fenë, duke pasur parasysh nevojat e Kishës e të shoqërisë së sotme. Me dëshirën për të transmetaur ato vlera, mbi bazën e të cilave mund të ndërtohet bashkëjetesa e vërtetë ndërmjet njerëzve, e jo shoqëria e pushtetit, e parasë, e suksesit. Vetëm për disa, për pak, natyrisht!







All the contents on this site are copyrighted ©.