2010-06-21 17:27:27

Papa 14 meshtarëve të rinj, shuguruar dje në Shën Pjetër: bëni vullnetin e Zotit, pa kërkuar pushtet personal.


(21.06.2010 RV)Meshtari i vërtetë nuk synon t’i japë rëndësi vetes, por përpiqet t’i përshtatet vullnetit të Zotit: ky është një nga fragmentet më domethënëse të homelisë së Benediktit XVI, mbajtur dje në kremtimin solemn, gjatë të cilit u dha urdhërin e meshtarisë 14 diakonëve të dioqezës së Romës. Mesha u kremtua nga kardinali Valini, mëkëmbës i Papës, së bashku me ipeshkvijtë ndihmës, rektorët e seminareve romake e një numër të madh meshtarësh.RealAudioMP3

“Bëni vullnetin e Zotit, duke e dëshmuar Ungjillin me guxim, pa iu nënshtruar modave as opinioneve të çastit”, i porositi Benedikti XVI 14 meshtarët e rinj të dioqezës së Romës, që u shuguruan në një Bazilikë, të mbushur plot me besimtarë. Papa nënvizoi, që në fillim, se Kisha mbarë e falënderon Zotin për meshtarët e rinj, se i shikon plot besim e shpresë e se pret shumë prej tyre:
“Po, Kisha ju shikon me besim e shpresë! Kisha ka nevojë për secilin nga ju, duke qenë e vetëdijshme për dhuratat që ju jep Zoti e, njëkohësisht, për nevojën absolute që ka zemra e çdo njeriu të takohet me Krishtin, Shëlbuesin e vetëm e universal të botës, për të fituar nga ai jetën e re e të amshuar, lirinë e vërtetë e gëzimin e plotë”.
Papa vijoi të shpjegonte liturgjinë e së dielës. Në qendër të saj ishte fragmenti i Ungjillit, në të cilin Pjetri, duke menduar ndryshe nga të tjerët, njeh në Jezusin, Krishtin e Zotit. Benedikti XVI theksoi se burimi i një akti të tillë feje, është gjithnjë lutja. Duke qenë përherë pranë Zotit, shpjegoi, fitohet një dije, që e tejkalon opinionin e njerëzve e arrihet tek përngjasimi i thellë me Jezusin. Kjo ka rëndësi themelore për misionin e meshtarit:
Në lutje, meshtari është i thirrur të rizbulojë fytyrën gjithnjë të re të Zotit të vet e përmbajtjen më të vërtetë të misionit të vet. Vetëm kush ka lidhje të ngushtë me Zotin e pushtohet prej Tij, mund t’ua çojë edhe të tjerëve, mund të jetë i dërguar për të kryer misionin e madh. Kjo do të thotë të rrish gjithnjë me Krishtin, gjatë gjithë misionit meshtarak. E kjo duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e këtij misioni, posaçërisht në çaste të vështira, kur të duket se dalin në plan të parë punët e rëndomta të jetës së përditshme”.
Kujtoi, kështu, se dishepulli është i thirrur ta ndjekë Krishtin në udhën e kryqit, ta humbasë vetveten, për ta rigjetur plotësisht në Krishtin. Ja pra përse, kujtoi Ati i Shenjtë, meshtaria nuk mund të shikohet si mënyrë për të siguruar jetën ose për të fituar një pozitë në shoqëri:
“Kush e shikon meshtarinë si mjet për rritur prestigjin e pushtetin e vet, tregon se nuk e ka kuptuar fare natyrën e këtij shërbimi. Kush dëshiron të realizojë ndonjë ambicie personale, të arrijë suksesin vet, do të mbetet përgjithnjë skllav i vetvetes dhe i opinionit publik”.
Për t’u pëlqyer të tjerëve, vijoi Papa, do të detyrohet t’i lajkatojë, të thotë atë që u pëlqen, të ndryshojë opinione, të shkojë nga fryn era, e kështu të shkëputet nga lidhja jetike me të vërtetën, duke u detyruar të shajë nesër, atë që lavdëroi sot. Meshtari, që e jeton kështu jetën e vet, nuk e do as Zotin e as të afërmin: do vetëm vetveten e, për paradoks, e humbet vetveten:
Meshtaria, e kujtojmë gjithnjë, bazohet mbi guximin për të pohuar një vullnet tjetër, atë të Zotit. E kur bëhemi një me këtë vullnet, kur zhytemi në të, jo vetëm që nuk shlyhet origjinaliteti ynë, por përkundrazi, hyjmë gjithnjë më thellë në të vërtetën e qenies sonë e të shërbimit tonë”.
Më pas Benedikti XVI vuri theksin tek lidhja e ngushtë ndërmjet Eukaristisë e Sakramentit të shugurimit meshtarak, duke kujtuar se meshtarit i besohet flijimi shpërblyes i Krishtit, Korpi i tij i dhuruar e Gjaku i derdhur. Kur kremtojmë Meshën, theksoi Papa, mbajmë në duart tona bukën e Qiellit, bukën e Hyjit, Krishtin:
Është diçka, që nuk mund të mos na mahnisë, të mos na mbushë me gëzim e mirënjohje të pakufi: tashmë dashuria e dhurimi i Krishtit të kryqëzuar e të lumnuar, kalojnë përmes duarve tuaja, zërit tuaj, zemrës suaj”.
Kështu u tha Papa meshtarëve të rinj e, në përfundim, iu lut Zotit t’u dhurojë vetëdijen, gjithnjë vigjilente e entuziaste, të dhuratës së Eukaristisë, pa të cilën nuk mund të jenë meshtarë, e vullnetin për ta flijuar plotësisht veten e për të shërbyer me përvujtëri, duke u përpjekur t’i ngjasin gjithnjë më shumë Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.