Obama do të takojë Netanijahun në Shtëpinë e Bardhë
(21.06.2010 RV)SHBA-të kanë shprehur kënaqësinë e tyre për vendimin e Izraelit,
që parashikon lehtësimin e embargos kundër Rripit të Gazës. Pasojë e kësaj është takimi
i ardhshëm i kryeministrit izraelit Netanijahu me presidentin amerikan Obama, më 6
korrik, në Shtëpinë e Bardhë. Kjo bisedë duhej të ishte bërë më 1 qershor, por u shty
për shkak të sulmit izraelit kundër flotiljes së paqes, gjatë të cilit gjetën vdekjen
9 vetë. Edhe Bashkimi Evropian shprehu miratimin e vet për vendimin izraelit, por
kërkoi nga palestinezët lirimin e ushtarit hebre Xhilad Shalit, marrë peng para katër
vjetësh nga grupet e Hamasit në Rripin e Gazës.