2010-06-19 18:11:25

Sot Benedikti XVI shuguroi 14 diakonë, të thirrur për të jetuar sfidën e madhe të fesë.


(20.06.2010) Sot, duke nisur nga ora 9.30, Benedikti XVI kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Meshën Shenjte, gjatë së cilës shuguroi 14 diakonë të dioqezës së Romës. Janë të gjithë nxënës të Kolegjit ‘Nëna e Shëlbuesit”, pranë Seminarit të Madh Romak dhe të Kolegjit Kapranika. Vetëm njëri i përket Urdhërit Teutonik. Dhjetë janë italianë, katër të tjerë, nga India, Japonia, Kili e Gjermania. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, që duke u kremtuar në përfundim të Vitit Meshtarak, i shton radhët e Kishës së Romës me 14 meshtarë të rinj, reflekton, në mikrofonin tonë, imzot Gjovani Tani, Rektor i Seminarit të Madh Romak, i cili i jep përgjigje pyetjes sonë:RealAudioMP3

Pyetje: - Cilat janë, sipas jush, sfidat më urgjente, që duhet të përballojnë meshtarët e rinj, duke filluar që nesër?

Përgjigje: - Sigurisht bota e shikon priftin me admirim e mahnitje, nga njëra anë, por edhe me mosbesim e dyshim, nga ana tjetër. Problemet e këtij viti, pedofilia dhe rendja pas parasë e disa njerëzve të Kishës, i ka rënë në sy shumkujt, gjë që e ka dëmtuar besimin e pakufi tek meshtari, duke krijuar edhe një frymë dyshimi. Por realiteti tregon se në shumë bashkësi famullitare, meshtarët admirohen e duhen me gjithë shpirt nga besimtarët, pikërisht për misionin, që jetojnë e për mënyrën si e jetojnë. Besoj se sfida më e madhe, që ne priftërinjtë jemi të thirrur ta jetojmë, është pikërisht ajo e fesë. Nuk duhet harruar se meshtari është në radhë të parë i krishterë e, ashtu si gjithë të krishterët, mbështetet mbi forcën e Zotit. Kultura, që e rrethon, e harron Zotin, ose kërkon t’i largohet aq, sa ta bëjë fare të pandjeshme praninë e Tij në jetën e përditshme. Prandaj e theksoj: sfida më e madhe është feja, një fe që bëhet besnikëri, një besnikëri që i bën ballë çdo tundimi, me forcën e lutjes. Sfida është të rigjesh gjithnjë arsye, që të bindin se zgjodhe rrugën e duhur, rrugë e cila kërkon nga ti t’ia dhurosh gjithë vetveten Zotit e të afërmit, pa bërë shumë llogari.







All the contents on this site are copyrighted ©.