2010-06-19 18:12:18

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 20 qershor, Kisha kremton të dielën e 12-të gjatë Vitit Kishtare e po më 20 qershor kalendari përkujton edhe Shën Silverin papë e martir . Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.
 
Shën Luigj Gonazaga, jezuit, pajtor i rinisë katolike, që do të kremtohet të hënën më 21 qershor, na bind, me jetën e tij, se feja nuk mund të ndahet nga dialogu i përhershëm me Zotin. Por dialogu, më shumë se me fjalë, bëhet me dëshmi, me mënyrën si e jetojmë Ungjillin, duke mos kursyer asgjë për Krishtin e për të afërmin.
 
Shën Paolini, ipeshkëv i Nolës; Shën Gjon Fisher, ipeshkëv i Roçesterit e Shën Tomas More, martirë anglezë; Shën Flav Klementi, konsull romak, martir dhe i Lumi Inoçenci V, papë, që Kisha do t’i festojë të martën e ardhshme më 22 qershor, na kujtojnë mësimin e Jezusit mbi thesarin e vërtetë, për të cilin mund të krenohemi, e për dritën e vërtetë, për të cilën ia vlen të shkrish gjithë jetën, me bindjen se Zoti është pranë nesh në orën e provës.
 
Të mërkurën më 23 qershor do të kremtohen Shën Jozef Kafasi, meshtar torinez dhe Shën Zakaria e Shën Elizabeta, prindërit e Shën Gjon Pagëzuesit – i cili do të kremtohet nesër. Liturgjia e festës na kujton se pasuria jonë e vetme është dashuria e Zotit. Ne, që punojmë çdo ditë për vete e për familjet, Jezusi na kujton se duhet të kemi besim në Hyjin, i cili i njeh nevojat tona e është gjithnjë gati të na i plotësojë në kohën e duhur.

Të enjten e ardhshme më 24 qershor Kisha katolike do të kremton kremton ditëlindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Kujtoi edhe shenjtorët Gjoni e Festi, martirë. Shën Gjon Pagëzuesi është shumë i nderuar në vise të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në ato që mbajnë emrin e tij: Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e Fushë Mamurrasi dhe mbarë famullia e Zllakuqanit (Kosovë).
 
Të premten më 25 qershor do të kremtohet festa e Shën Gulielmit, abat, themelues i murgjërve të Montevergjine dhe e Shën Galikanit, ipeshkëv i Embrunit. Liturgjia e festës së tyre na kujton se nuk jemi ne ata, që duhet ta gjykojmë të afërmin: tepër i cektë është vështrimi ynë e tepër i errësuar nga e keqja. Në se tregohemi të mëshirshëm në jetë, me mëshirë do të gjykohemi edhe në gjyqin e mbramë.
 
Liturgjia e së shtunë që vjen më 26 qershor na kujton se njerëzit që e kanë zemrën të pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Janë ata që e ruajnë çdo dhuratë të Zotit si thesar të çmuar dhe e bëjnë të japë fryt në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo është rruga e sigurtë e shëlbimit. E kjo, edhe dita e festës së Shën Virgjilit, e Shën Gjonit e Palit martirë dhe e Shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei.
 
Të dielën e ardhshme më 27 qershor kalendari kremton të dielën e 13-të gjatë vitit e më 27 qershor përkujtohet edhe Shën Çirili i Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, do të thotë, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë.







All the contents on this site are copyrighted ©.