2010-06-19 18:11:46

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë, në mbrojtje të Kryqit: “Simbol identiteti e tradite”.


(20.06.2010 RV)Në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën për prishje vendimi, paraqitur nga Italia, e cila kërkon t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike, në mbarë Evropën vijojnë të ngrihen zërat i ipeshkvijve, që bëjnë thirrje për vëmendje ndaj ndjenjave fetare të popullsive e traditave të kombeve. Ipeshkvijtë bullgarë, grekë e skocezë, ngritën zërin, për të pohuar: “Kryqi nuk është imponim i fesë së krishterë; përkundrazi, është shenjë e solidaritetit të krishterë e ftesë për miqësi me të gjithë popujt. Trashëgimia e çmuar fetare e shumë njerëzve e kombeve të mbarë Evropës, ashtu si dhe vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë, që duhen mbrojtur në shoqëritë demokratike, janë në rrezik! Edhe Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ngriti zërin për të mos e ndaluar ekspozimin publik të simboleve fetare, posaçërisht në vende ku formohen mendjet e zemrat, duke pasur mirë parasysh se këto simbole nuk pengojnë, as nuk dëmtojnë njeri. Në deklaratën, nënshkruar nga zevendës-kryetari i Konferencës ipeshkvnore shqiptare, imzot Anxhelo Masafra, shpjegohet se në kulturën e në traditën e krishterë, kryqi është simbol i shpëtimit dhe i lirisë për mbarë njerëzimin, shkalla më e lartë e dhurimit të vetvetes, e solidaritetit të thellë dhe e bujarisë, të vënë në shërbim të të gjithëve. Edhe në kushtet e jetesës shumetnike e shumëfetare - nënvizon teksti - çdo komb ka të drejtën-detyrë t’i mbrojë shenjat fetare e simbolet tipike për kulturën e tij.
Më 30 qershor, përpara Dhomës së madhe të Gjykatës evropiane, qeveria italiane do të pëpiqet ta hedhë poshtë vendimin, me të cilin Dhomat e organizmit dënuan, më 3 nëntorin e kaluar, Italinë, për ekspozimin e Kryqit në shkolla!







All the contents on this site are copyrighted ©.