2010-06-19 18:12:34

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Vala e zezë”


(20.06.2010 RV)20 miliard dollarë: ky është fondi i vënë në dispozicion nga kompania shumëkombëshe British Petroleum për të dëmshpërblyer SHBA, të dëmtuara rëndë nga derdhja e naftës në det. Ajo që do të hyjë në histori si një nga katastrofat më të mëdha ambientale, nisi dy muaj më parë me shpërthimin e platformës detare për nxjerrjen e naftës në Gjirin e Meksikës. Pavarësisht nga përpjekjet e teknikëve të kompanisë, por edhe të shkencëtarëve të tjerë, nafta akoma vazhdon të derdhet pa kontroll në det, me pasoja të rënda për florën dhe faunën e zonës. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi ia kushton kësaj gjendjeje editorialin e javës. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3

“Po bëhen gati dy muaj, që një lumë nafte derdhet në Gjirin e Meksikës nga pusi detar i hapur, pas shpërthimit të platformës së British Petroleum. Përmasat e katastrofës vështirë se llogariten, por janë natyrisht të stërmëdha e vazhdojnë të rriten.
Vijnë në mendje katastrofa të tjera ambientale, të lidhura me aktivitetin njerëzor, si ai i fabrikës kimike të Bopalit në Indi, më 1984, ose ai i centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, më 1986, të cilat shkaktuan një numër edhe më të madh viktimash e dëmesh.
Ajo që bën përshtypje, në këtë rast, është pafuqia dhe vonesa në gjetjen e zgjidhjes nga ana e një firme shumëkombëshe të naftës, nga më të mëdhatë, me teknologjinë më të përparuar të botës, por edhe nga ana e vendit më të fuqishëm të tokës, SHBA-ve. Është e pabesueshme, por mbetet fakt. Nuk kemi të bëjmë me shpërthimin e një vullkani, por me një vrimë relativisht të vogël, bërë nga njeriu në fund të detit. E megjithatë, gjatë dy muajve, shkencëtarë e teknikë të superspecializuar nuk arritën ta mbyllin.
A do të dimë të nxjerrim mësim për më tepër kujdes e vëmendje në përdorimin e burimeve të tokës dhe për ruajtjen e ekulibrit të planetit? Sigurisht, shumë mund të ndryshojë tani e tutje në fushën e nxjerrjes së naftës, për ta bërë atë më të sigurtë. Por ndoshta, mund të nxjerrim edhe një mësim përvujtërie. Teknika do të shkojë gjithnjë përpara. Por, nëse në procese prodhuese relativisht të thjeshta ajo është kaq e pafuqishme, si do t’ia bëjmë nëse na ikin nga dora procese më të ndërlikuara, si ato që kanë të bëjnë me energjinë e bërthamës së materies, ose edhe më keq, me formimin e jetës? Kishte mëse të drejtë Benedikti XVI kur e mbyllte enciklikën e tij të fundit mbi problemet e mëdha të njerëzimit të sotëm, me një kapitull mbi përgjegjësinë e përdorimit të pushtetit të teknikës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.