Të dielën Benedikti XVI do të shugurojë 14 diakonë, të thirrur për të jetuar sfidën
e madhe të fesë.
(18.06.2010 RV)Të dielën e ardhshme, në orën 9.30, Benedikti XVI do të kryesojë,
në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Meshën Shenjte, gjatë së cilës do t’u japë
shugurimin meshtarak 14 diakonëve të dioqezës së Romës. Janë të gjithë nxënës të Kolegjit
‘Nëna e Shëlbuesit”, pranë Seminarit të Madh Romak dhe të Kolegjit Kapranika. Vetëm
njëri i përket Urdhërit Teutonik. Dhjetë janë italianë, katër të tjerë, nga India,
Japonia, Kili e Gjermania. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, që duke u kremtuar në
përfundim të Vitit Meshtarak, i shton radhët e Kishës së Romës me 14 meshtarë të rinj,
reflekton, në mikrofonin tonë, imzot Gjovani Tani, Rektor i Seminarit të Madh Romak:
Përgjigje:
- Duke qenë në përfundim të këtij Viti Meshtarak, mund të flasim për shumë veprimtari,
në të cilat meshtaria ka qenë në krye të vendit, gjatë reflektimeve tona. Këtë vit
u theksua në mënyrë të veçantë roli i meshtarit. Në seminarin tonë zgjodhëm si moto
të kremtimeve, një fjalë ari, nga fjalori tejet i pasur në këtë drejtim, i Famullitarit
të Arsit, Shën Gjon Maria Vianejt: “Meshtaria është dashuria e Zemrës së Krishtit”.
Në meshën përfundimtare, Papa foli për madhështinë dhe për bukurinë e meshtarisë.
E fjala e Papës ishte këto ditë objekt reflektimi për të rinjtë, që përgatiten të
shugurohen, sepse kardinali Valini, që ua drejton reflektimin e ushtrimeve shpirtërore,
deshi të vinte në qendër të vëmendjes pikërisht këtë homeli të Papës.
Pyetje:
- Katër nga diakonët, që do të shugurohen të dielën nga Papa, janë përgatitur
në seminarin tuaj. Do të dëshironim, prandaj, të mësojmë nga ju si e presin meshtarët
e ardhshëm këtë ngjarje të jashtëzakonshme në jetën e tyre e si e jeton mbarë bashkësia
e seminarit? Përgjigje: - Është një ngjarje, që përsëritet
shumë herë gjatë vitit. Jemi në stinën e shugurimeve. Të dielën do të jetohet në Romë,
por tashmë është jetuar disa herë në vise të ndryshme të Italisë e të botës, sepse
ne kemi edhe nxënës nga mbarë bota. Është gjithnjë festë, kremtim i ditës së ëndërruar
që në çastin, kur kandidati ulet për herë të parë në bankat e seminarit, kur nis
të formohet për rrugën e mrekullueshme, por edhe plot përgjegjësi, të meshtarisë.
Kemi, pastaj edhe një aspekt tejet të rëndësishëm për ardhmërinë e këtyre të rinjve:
është miqësia e solidariteti ndërmjet tyre, që ndjehen, pastaj, në mënyra të ndryshme
e në rrethana të ndryshme, gjatë gjithë jetës meshtarake. Miqësia është një nga elementet
e fuqishme, që e mbështesin fort jetën meshtarake.