Për jetën e Shën Marinës, e cila kremtohet sot, të dhënat janë të tilla, që na krijojnë
vështirësi për ta dalluar nga tri Marina të tjera: Shën Marina e Antiokisë, martire
(kremtohet më 20 korrik), Shën Marina Orense (më 18 korrik) dhe e Lumja Marinë e Spoletos,
që gjithashtu kremtohet më 18 qershor.
Ndërsa, për disa aspekte të tjera, Shën
Marina ka tërhequr në çdo kohë vëmendjen e hagjiografëve, aq sa është krijuar një
grumbull me dokumente në më se dhjetë gjuhë lindore e perëndimore, që përkojnë e s’përkojnë,
në përpjekjen për të gjetur të vërtetën historike mbi jetën e shenjtores. Shtete të
ndryshme, ku u përhap devocioni i shenjtes, bënë përpjekje për të vërtetuar se kishte
lindur në trojet e tyre. Prandaj për të herë thuhet se lindi në Egjipt, herë në Traki,
pastaj në Bitini, në Sicili e në Liban. Duket se lindja në Liban është varianti më
i besueshëm, e se data e lindjes duhet të jetë diku ndërmjet ditëve të shekullit V.
Në
rrëfimin mbi jetën e shenjtes gjejmë shumë përkime me shenjtore të tjera, si Shën
Apolinaria, Atanasia, Anastasia, Eufrozina, Eugjenia e Teodora, që u ndodhën pak a
shumë në situatën e saj.
Historia e jetës së Shën Marinës është aq interesante,
sa mund të shërbejë si subjekt për filma e për vepra dramatike. E deshi aq shumë të
jatin sa, kur ky mbeti i vejë e nisi të kërkonte një mbështetje të sigurtë, në ato
kohë të trazuara, për të mos e lënë vetëm, u vesh si burrë e ndërroi edhe emrin. E
quajti veten Marin. Pas vdekjes së babait, gjithnjë e veshur si burrë, hyri në një
kuvend rregulltarësh. Por një ditë iu desh të shoqëronte një grup murgjërish, që ishin
nisur për rrugë të largët. Kur grupi u ndalua të flinte në një han, e bija e hanxhiut,
që kishte mbetur shtatzënë me kush e di se kë, paditi pikërisht murgun Marin si baba
i foshnjës. Hanxhiu, i tërbuar, shkoi menjëherë të kërkonte nderin e së bijës tek
egumeni i kuvendit. Marina nuk bëri asnjë përpjekje për t’u shfajësuar. Natyrisht
u flak menjëherë jashtë kuvendit e, pas lindjes së fëmijës, e detyruan ta mbante.
Po me se? Ajo s’kishte gjë prej gjëje. Ushqehej me lëmoshë e flinte ku mundte, gjithnjë
në rrethinat e kuvendit, duke qarë me lot e duke bërë pendesë për një mëkat që s’ishte
i saji.
Egumeni, i prekur thellë nga pendesa e asaj, që ai e dinte murg, pas
tri vjetësh e pranoi rishtas në kuvend, ku e jetoi në mënyrë shembullore jetën në
bashkësi.
Pak kohë më pas, Marina-Marin vdiq. Përfytyrojeni habinë e murgjërve
kur, duke e veshur për së vdekuri, panë se ishe femër e kuptuan se kishte jetuar një
jetë të tërë si fajtore pa faj, duke duruar gjithçka e duke iu nënshtruar plotësisht
vullnetit të Zotit.
Shumë Kisha lindore nisën ta përkujtonin në ditë të ndryshme
në kalendarët e tyre: Martiriologu Romak e kujton më 18 qershor e po në këtë datë
edhe në Paris nderohet Shën Marini-Marina.Emri vjen nga latinishtja, Marinus, njeri
i detit, por mendohet se mund të vijë edhe nga Marius (Mario). Shumë i përhapur në
Itali e në Francë, përdoret edhe në formën përkëdhelëse Marinela.