2010-06-18 18:49:04

Lutje për viktimat e emigracionit në Romë


(18.06.2010 RV)Edhe sot e kësaj dite, burra, gra e fëmijë largohen nga vendi ku kanë lindur, me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë, larg luftrave, persekutimeve e sëmundjeve. Shumë prej tyre vdesin gjatë rrugës. Deri në vitin 2009, viktimat arrinin në 15 mijë vetë, por në këtë numër nuk përfshihen njerëzit, që kanë humbur jetën në shkretëtirë, ose në vende të vështira. Edhe shqiptarët kanë kontribuar fatkeqësisht, me mbytjet në detin Adriatik. Mjafton të kujtojmë vetëm viktimat e përplasjes me një anije italiane në brigjet e Otrantos, e cila ka hyrë në histori me emrin “tragjedia e Otrantos”. Të gjithë këtyre, mbrëmë, në bazilikën e Shën Marisë në Trastevere të Romës, iu kushtua një lutje ekumenike, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe shoqata të tjera. E kryesoi kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, imzot Antonio Maria Veliò.
Emrat dhe historitë e viktimave u lexuan si homazh për të gjithë ata, që takuan vdekjen në rrugën për të dalë nga mjerimi, nga shtypja, nga dhuna ose nga lufta. Imzot Veliò përsëriti thirrjen e Kishës për të pushtetshmit e kësaj bote, që të gjejnë zgjidhje për emigracionin, të cilat të mos jenë vetëm ashpërsimi i sanksioneve për klandestinët, ose mbyllja hermetike e kufijve. Të dëgjojmë Daniela Pompein, të Bashkësisë së Shën Egjidit:
“Nuk mund të mbyllim vetëm kufijtë: kjo është thirrje, që i drejtohet krejt Evropës. Italia, Spanja dhe Greqia janë natyrisht vendet më të ekzspozuara ndaj arritjes së personave, që largohen nga lufta. Të mendojmë për shembull, për eritreasit, për somalët e për të gjithë personat, që vijnë nga Afrika. Është thirrje për gjithë Evropën, për Kishën e për qeveritë, që të gjejnë një rrugë për të shpëtuar jetën e këtyre njerëzve”.
Vendet e industrializuara duhet të marrin masa për të garantuar sigurinë e zbatimin e ligjit si për qytetarët e tyre, ashtu edhe për të ardhurit. Prandaj, duhet një programim racional i flukseve të rregullta të emigrantëve, një gatishmëri më e madhe për të marrë parasysh rastet e veçanta, që kërkojnë mbrojtje humanitare e strehim politik. Duhet siguruar edhe e drejta për bashkim familjar, pasi kjo sjell stabilitet dhe qetësi për emigrantët, por edhe për shoqërinë ku jetojnë. Imzot Veliò kujtoi problemet e familjes së emigruar, sidomos format më të skajshme të ksenofobisë e të racizmit. Sërish Daniela Pompei:
“Ekziston edhe një problem kulturor. Është e nevojshme të ndihmohen qytetarët italianë, ashtu si edhe qytetarët evropianë, të kapërcejnë frikën nga të huajt e kjo është e mundur vetëm përmes takimit. Ne punojmë shumë për të favorizuar takimin paqësor, që na mëson ta shohim tjetrin jo vetëm si klandestin, ose si dikush që mund të na marrë diçka, por edhe si refugjat, si një të ri 16-17 vjeçar që kërkon një të ardhme më të mirë e nuk do ta përdorë pushkën për të vrarë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.