2010-06-18 18:45:08

Ipeshkvijtë e Evropës në mbrojtje të Kryqit: “Simbol identiteti e tradite”.


(18.06.2010 RV)Në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën për prishje vendimi, paraqitur nga Italia, e cila kërkon t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike, në mbarë Evropën vijojnë të ngrihen zërat i ipeshkvijve, që bëjnë thirrje për vëmendje ndaj ndjenjave fetare të popullsive e traditave të kombeve. Zëri më i freskët, që u dëgjua sot, është ai i ipeshkvijve bullgarë, të cilët theksojnë: “Askush nuk mund të dyshojë se rrënjët e Evropës janë të krishtera e se qytetërimi evropian ekziston falë krishterimit”.
Sipas prelatëve bullgarë, kryqi nuk është mjet që imponohet, por shprehje e dashurisë më të thellë, e solidaritetit më të vërtetë, e miqësisë më të madhe me të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, raca, kombësia. Prandaj, lexohet më tej në deklaratën e Konferencës ipeshkvnore bullgare, i nxisim të gjitha shtetet me zanafillë e traditë të krishterë, të mos e mohojnë praninë e ekspozimin në vende publike të simboleve tradicionale të krishtera, si kryqi e ikonat, posaçërisht në shkolla, ku formohen dhe edukohen fëmijët e Evropës.
Fjalët e ipeshkvijve bullgarë i bëjnë jehonë atyre që përdori Konferenca ipeshkvnore greke, pak orë më parë: “Një pakicë nuk mund e nuk duhet ta pengojë shumicën dërmuese të ushtrojë fenë e vet, sipas traditave të popullit”.
Në të njëjtën mënyrë, as mazhoranca nuk duhet t’i pengojë minorancat. Respekti reciprok për traditat e ndryshme, lexohet akoma në komunikatën e ipeshkvijve grekë, është tejet i nevojshëm për funksionimin e shoqërive me shumë kultura. Sipas ipeshkvijve helenikë, dënimi i Italisë është fillimi i një sërë procedurash, që përvijohen në horizont, e që kanë të bëjnë me refuzimin e disa prijësve politikë e përfaqësuesve të bashkësisë evropiane, për të njohur, në Kushtetutën kontinentale, rrënjët e krishtera të Evropës.
Me tone të ngjashme flet për këtë problem të mprehtë edhe kardinali Keith O’Brien, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve skocezë: “Kryqi nuk është imponim i fesë së krishterë; përkundrazi, është shenjë e solidaritetit të krishterë e ftesë për miqësi me të gjithë popujt. Evropa është kontinent pluralist, me shumë kultura, në të cilin Kisha e Shteti janë të ndarë e të drejtat e besimtarëve dhe të jo besimtarëve duhen respektuar. Por ta respektosh dallimin e Shtetit nga Kisha, nuk do të thotë të mohosh traditat kulturore të kombeve tona. Ndërsa jemi në pritje të vendimit të Gjykatës, thotë në përfundim prelati skocez, duhet të kemi mirë parasysh pasojat, që mund të ketë ky vendim. Trashëgimia e çmuar fetare e shumë njerëzve e kombeve të mbarë Evropës, ashtu si dhe vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë, që duhen mbrojtur në shoqëritë demokratike, janë në rrezik!
Gjithnjë dje, edhe Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ngriti zërin për të mos e ndaluar ekspozimin publik të simboleve fetare, posaçërisht në vende ku formohen mendjet e zemrat, duke pasur mirë parasysh se këto simbole nuk pengojnë, as nuk dëmtojnë njeri. Në deklaratën, nënshkruar nga zevendës-kryetari i Konferencës ipeshkvnore shqiptare, imzot Anxhelo Masafra, shpjegohet se në kulturën e në traditën e krishterë, kryqi është simbol i shpëtimit dhe i lirisë për mbarë njerëzimin, shkalla më e lartë e dhurimit të vetvetes, e solidaritetit të thellë dhe e bujarisë, të vënë në shërbim të të gjithëve. Edhe në kushtet e jetesës shumetnike e shumëfetare - nënvizon teksti - çdo komb ka të drejtën-detyrë t’i mbrojë shenjat fetare e simbolet tipike për kulturën e tij.Më 30 qershor, përpara Dhomës së madhe të Gjykatës evropiane, qeveria italiane do të pëpiqet ta hedhë poshtë vendimin, me të cilin Dhomat e organizmit dënuan, më 3 nëntorin e kaluar, Italinë, për ekspozimin e Kryqit në shkolla!







All the contents on this site are copyrighted ©.