2010-06-18 18:45:59

Imzot Mambertì, në Kubë: shoqëria civile e bashkësa kishtare duhet bashkëpunojnë për të mirën e njeriut.


(18.06.2010 RV)Në Kubë vijojnë kremtimet për 75-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë e vendit karaibik. Dje sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì, gjatë Meshës Shenjte në katedralen e Havanës, theksoi se mbetet shumë për të bërë lidhur me thellimin e këtyre marrëdhënieve. Të mërkurën e kaluar, duke hapur kremtimet e Javës Shoqërore të Kishës kubane, imzot Mambertì u transmetoi të pranishëmve afërsinë e Papës dhe bekimin e tij apostolik. Në fjalimin rastit, prelati shpjegoi kuptimet e shumta të termit laicitet si dhe pasojat e mundshme të marrëdhënieve ndërmjet rendit të Shtetit e përmasës fetare.
 Imzot Mambertì kujtoi evolucionin historik të termit “laicitet”, i cili që në zanafillë ka kuptimin e dallimit të autoriteteve kishtare nga ato civile: pa Ungjillin e Krishtit, shpjegoi prelati, nuk do të kishte hyrë në historinë e njerëzimit dallimi ndërmjet detyrimeve që ka njeriu ndaj Zotit, e detyrimeve që ka ndaj Qesarit, domethënë, ndaj autoriteteve civile. Termi laicitet lidhet edhe me besimtarin e thjeshtë të krishterë, që nuk i përket as klerit shekullar, e as atij rregulltar. Në rrjedhë kohe, fjala pësoi një evolucion të vërtetë, duke marrë shumë kuptime, sqaroi prelati, e në vijim kujtoi vlerën e shumanshme semantike të termit laicitet. Imzot Mambertì u ndalua tek lidhja ndërmjet rendit shtetëror e përmasës fetare. Laiciteti, neutraliteti e ndarja, theksoi, duhet të shërbejnë si garanci për lirinë fetare. Përndryshe, do ta humbisnin fare kuptimin. Në se liria fetare i nënshtrohet ndonjë parimi tjetër, pohoi prelati, atëherë laiciteti shndërrohet në laicizëm; neutraliteti në agnosticizëm; ndarja, në armiqësi. Kur një shtet, vijoi imzot Mamberti, e quan veten laik, kjo nuk do të thotë se mund ta mënjanojë ose të mos e pranojnë fare përmasën fetare. Shteti e ka për detyrë ta njohë rolin themelor të lirisë fetare e t’i krijojë çdo njeriu kushtet për ta jetuar lirisht fenë e vet. E, nënvizoi me forcë prelati, termi laicitet nuk do të thotë se shteti mund të shkëputet nga çdo normë morale. Kur shteti e konsideron veten përmbi këto norma, rezultatet janë të kobshme. Na e dëshmon këtë e gjithë historia e njerëzimit. Siç thekson Benedikti XVI në Enciklikën “Deus caritas est”, “Kisha nuk mund e nuk duhet të zërë vendin e shtetit, por nuk mund e as nuk duhet të rrijë duarkryq, kur është fjala për të mbrojtur drejtësinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.