2010-06-17 15:44:07

Ipeshkvijtë e Shqipërisë i kërkojnë Gjykatës Evropiane paraqitjen e simboleve fetare


(17.06.2010 RV)Ipeshkvijtë e Shqipërisë i drejtojnë një apel Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut rreth shqyrtimit të paraqitjes së simboleve të krishtera në vendet publike. Përmes një deklarate të datës 15 qershor, në shenjë solidariteti me ipeshkvijtë e Italisë rreth çështjes delikate siç është prania e Kryqit në shkolla, ipeshkvijtë e Shqipërisë i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke kërkuar “të mos refuzohet paraqitja publike e simboleve fetare, në veçanti në vendet ku formohen mendimtarët dhe zemrat” e të rinjve. Ipeshkvijtë e Shqipërisë thonë se janë të “sigurt se simbolet fetare nuk janë një pengesë, por nxitje e shembull për një rritje të plotë të identitetit dhe vlerave të breznive të ardhshme”.
Më hollësisht të ndjekim sekretarin e Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë, ipeshkvin e Sapës, imzot Lucjan Avgustinin......RealAudioMP3
 
DEKLARATË APEL E KONFERENCËS IPESHKVNORE TË SHQIPËRISË
RRETH PARAQITJES SË SIMBOLEVE TË KRISHTERA, DREJTUAR
GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT.
(N 30814/06 LAUTSI e. Italia)
Si Ipeshkvij të Kishës Katolike të Shqipërisë, të bashkuar në një mbledhjeje të jashtëzakonshme për të dialoguar rreth temës që ka të bëjë me “ekspozimin e simboleve fetare”, na është dukur e drejtë, edhe pse në mungesë të Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore, t’i dërgojmë Gjykatës Evropiane këtë deklaratë-apel.
Sigurisht që historia është dëshmitare në pohimin dhe në dëshminë e rrënjëve të krishtera të Evropës. Kjo bazë solide, në ditët tona, me siguri që nuk pengon stabilitetin e vet përvojës shpirtërore ose hapjen, falë pluralizmit fetar, duke treguar respekt për të drejtat qoftë të atyre që besojnë qoftë të atyre që nuk besojnë.
Prania e simboleve fetare të krishtera, dhe referimi ynë adresohet në veçanti rreth simbolit të kryqit, nuk pretendon të përjashtojë askënd nga përvoja e vet fetare, por përkundrazi të krijojë lidhje dialogu dhe shkëmbimi, në vetëdijen që përvojat e bashkëndara të ndihmojnë për të përballuar vuajtjet dhe nevojat, dhe e gjithë kjo pa lënë mënjanë besimin, etninë ose kombësinë.
Në kulturën dhe traditën e krishterë, kryqi tregon:
1 – shpëtimin e përbashkët dhe lirinë e njerëzimit;
2 – një përvojë jo detyruese;
3 – shkalla më e lartë e altruizmit dhe e bujarisë e bashkuar me një solidaritet të thellë që u dhurohet të gjithëve;
4 – falje, pa dallim.
Për këto motive me zell kërkojmë që të mos e refuzoni (zmbrapsni) ekspozimin publik, në veçanti në vendet ku formohen mendimtarët dhe zemrat, të simboleve fetare, në sigurinë se këta simbole nuk janë një pengesë, por stimul dhe shembull për një rritje të plotë të identitetit dhe vlerave të breznie të ardhshme.
Më pas duam t’u kujtojmë që në të gjitha Vendet Evropiane, e drejta e lirisë religjioze ekziston dhe është më e fortë se në vendet e tjera ku simbolet fetare janë të lejuara me ligj ose nga pranimi i vullnetshëm. Të mos harrojmë se pikërisht Kisha dhe bashkësitë e krishtera favorizojnë, në vendet ku gjenden, dialogun dhe shkëmbimin me kishat dhe religjionet e tjera, duke u bërë kështu simbole tipike të vetë kulturës.


Imzot Angelo Massafra, OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër – Pult
Zëvendës President i Konferencës







All the contents on this site are copyrighted ©.