2010-06-16 16:37:29

Papa në audiencën e përgjithshme: në se mohohet ligji natyror, i hapet rruga relativizmit etik dhe totalitarizmit.


(16.06.2010 RV)E vërteta është e kapshme nga arsyeja njerëzore. Feja e arsyeja, edhe pse ecin në rrugë të ndryshme të njohjes, përkojnë me njëra-tjetrën. Këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e përqendruar katekizmin tek figura e Shën Tomës së Akuinit. Ndryshimi ndërmjet fesë e arsyes, shtoi Papa, siguron pavarësinë e shkencave humane nga ato teologjike. Por një autonomi e tillë nuk duhet parë si ndarje, përkundrazi, si bashkëpunim reciprok, nga i cili mund të përfitojnë të dyja palët.

Duke folur për figurën e Shën Tomës, Benedikti XVI u ndal në mënyrë të posaçme tek mësimet dhe tek metoda teologjike e Akuinasit, bazuar mbi përpjekjen për të dalluar lidhjen e të vërtetave të fesë së krishterë me ndihmesën e arsyes njerëzore, gjithnjë të ndriçuar nga feja”:
“Feja e fuqizon, e integron, e ndriçon trashëgiminë e së vërtetës, të fituar nga arsyeja njerëzore. Besimi që ka Shën Toma në këto dy mjete të njohjes, në fenë e në arsyen, mund të jetë pasojë e bindjes se të dyja vijnë nga i njëjti burim i të gjitha të vërtetave, nga Logos, nga Fjala hyjnore, që vepron si në mjedisin e krijimit, ashtu edhe në atë të shëlbimit”.
Ati i Shenjtë, duke shpjeguar mësimin e Shën Tomës, kujtoi fushat e fesë e të arsyes: “Arsyeja, tha, e pranon të vërtetën, në sajë të qartësisë së saj vetjake, të tërthortë ose të drejtpërdrejtë. Feja, shtoi, e pranon të vërtetën, mbi bazën e autoritetit të fjalës së Zotit, që zbulohet. Nuk ka ndarje, por bashkëpunim reciprok e fitimprurës:
“Feja, në të vërtetë e mbron arsyen nga çdo tundim mosbesimi në aftësitë e veta, e nxit të hapë horizonte gjithnjë më të gjëra, i ngjall dëshirën për kërkimin e themeleve e, kur arsyeja vetë hyn në sferën e mbinatyrshme të lidhjes ndërmjet Zotit e njeriut, e pasuron atë”.
Por, kur themi se feja e ndihmon arsyen, duhet të kemi parasysh edhe ndihmesën që i jep arsyeja fesë:
“Edhe arsyeja, me mjetet e saj, mund t’i japë ndihmesë të rëndësishme fesë, duke i bërë shërbimin e trefishtë, të cilin Shën Toma e përmbledh në parathënien e komentit të tij mbi ‘De Trinitate’ të Boecios, ku thekson: “Të vërtetohen themelet e fesë; të shpjegohen me anën e similitudave, të vërtetat e fesë; t’u jepet përgjigje vërejtjeve, që bëhen kundër fesë”.
E gjithë historia e teologjisë së krishterë, vërejti Papa, në fund të fundit s’është tjetër, veçse ky impenjim i mendjes, që tregon se gjuha e fesë është e kuptueshme e se ajo është e aftë të japë ndihmesën e vet, për të mirën e njeriut. Mirëkuptimi ndërmjet arsyes njerëzore dhe fesë së krishterë vërehet edhe tek një parim tjetër themelor i Akuinasit: “Hiri hyjnor nuk e bën në asgjë, por e pranon dhe e përkryen natyrën njerëzore”:
“Hiri, i dhuruar pa kursim nga Hyji e i komunikuar përmes Misterit të Fjalës së mishëruar, është një dhuratë, që na bëhet krejt falas, përmes së cilës natyra shërohet, fuqizohet e ndihmohet të vijojë përpjekjen për të realizuar dëshirën, që lind në zemrën e çdo burri e të çdo gruaje: lumturinë!” .Hiri, shtoi Papa, e shoqëron, e ndihmon e i jep shtytje impenjimit etik. Të gjithë njerëzit, besimtarë e jo besimtarë, janë të thirrur t’i njohin kërkesat e natyrës njerëzore, të shprehura në ligjin natyror, e të frymëzohen prej tij. Në rast të kundërt, në historinë e njerëzimit do të krijohen skena dramatike:
“Kur ligji natyror e përgjegjësia, që lidhet me të, mohohen, hapet dramatikisht rruga drejt relativizmit etik në planin individual, e drejt totalitarizmit të Shtetit, në planin politik. Mbrojtja e të drejtave universale dhe afirmimi i vlerës absolute të dinjitetit të njeriut, kërkojnë me ngulm një bazë. A s’është ligji natyror kjo bazë, me vlerat e veta të padiskutueshme ?”.
Duke kujtuar atë, që shkruan Gjon Pali II në Evangelium Vitæ, Benedikti XVI nënvizoi se “për ardhmërinë e shoqërisë e për demokracinë e vërtetë është urgjente të rizbulohen vlerat njerëzore e morale, thelbësore e të lindura, vlera të cilat asnjë individ, asnjë mazhorancë e asnjë shtet nuk mund t’i krijojë, t’i modifikojë, as t’i shkatërrojë, në sa duhet t’i pranojë, t’i respektojë e t’i promovojë”. Ati i Shenjtë, duke pasur gjithnjë parasysh thellësinë e mendimit të Akuinasit, kujtoi, në fund, lutjen, përmes së cilës Shën Toma i kërkon Zotit:
“Më jep, o Zot, vullnetin që të të kërkoj, dijen që të të gjej, jetën që të pëlqen, këmbënguljen që të pres me besim e besimin se në fund të fundit do të të njoh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.