2010-06-16 18:31:38

Obama takohet me krerët e British Petroleum: dëmshpërblim prej 20 miliard dollarësh


(16.06.2010 RV)Sot, presidenti amerikan Barak Obama u takua me krerët e kolosit të naftës British Petroleum, përgjegjës për dëmet e shkaktuara në Gjirin e Meksikës nga shpërthimi i një pusi në det. Llogaritet që çdo ditë, rreth 60 mijë fuçi nafte derdhen nga pusi i hapur, duke shkaktuar ndotjen e shkatërrimin e ambientit, që vetë Obama e krahasoi dje me terrorizmin e Al Kaidës.
British Petroleum duhet të paguajë të gjitha dëmet, përmes një fondi prej 20 miliard dollarësh. Ky qe rezultati i mbledhjes. Pavarësisht nga kjo, popullariteti i tij është në rënie. Të dëgjojmë opinionin e përgjegjësit për mediat në Këshillin Itali-SHBA, gazetarin Denis Redmont:
Amerikanët e kuptojnë fort mirë se është e nevojshme të mobilizohen për të përballuar një katastrofë ambientale, që prek të gjithë. Prandaj, nëse Obama, të cilit nuk i pëlqen të ekzagjerojë, përdor si krahasim Al Kaidën, do të thotë se dëshiron të përfitojë nga kriza për t’u mësuar amerikanëve se duhet të jetojnë me energji alternative, më të pastra. Është shumë interesante të vërehet se si presidenti i kërkon Kongresit të miratojë një seri ligjesh, që e përmirësojnë gjendjen e energjisë dhe të ambientit, ndërsa në fjalimin para kombit nuk e shqiptoi asnjëherë fjalën “karbon” e as fjalën “klimë”. Ai ia la portën hapur bisedimeve për ligje, që të vendosin një kufi për emetimet e dioksidit të karbonit.
Si mendoni ju, a do ta paguajë dëmshpërblimin firma British Petroleum?
Kemi parë se shumë firma, pas një katastrofe ambientale serioze, kanë marrë fund. PanAm nuk rezistoi pas problemeve në Lokerbit, Dou Kemikëll ndryshoi identitet pas Bopalit etj.. Njëlloj, British Petroleum si e tillë mund t’i ketë ditët e numëruara. Por është një kolos kaq i madh, saqë do të rilindë si firmë tjetër e do të vazhdojë të hapë puse nafte, për të cilat, tani për tani, bota ka shumë nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.