Benedikti XVI në takimin dioqezan të Romës: Eukaristia dhe dashuria e krishterë, për
të ndryshuar mendësinë e njerëzve e të shoqërisë.
(16.06.2010 RV)Vënia e Eukaristisë në qendër të jetës dhe dëshmimi i dashurisë
së krishterë, ishin mendimet kryesore, që shprehu mbrëmë Benedikti XVI, duke hapur,
në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, punimet e takimit dioqezan, në përfundim të
vitit baritor. Tema e takimit, që u mbyll sot, ishte: “U hapën sytë e tyre, e njohën
dhe e kumtuan! Eukaristia e së dielës dhe dëshmimi i dashurisë së krishterë”. Dy aspekte
themelore, këto, në të cilat dioqeza u thellua gjatë gjithë vitit të sapopërfunduar
baritor.
Eukaristia është kujtimi i vdekjes e i ringjalljes së Krishtit. Por
fjala “kujtim”, që vjen nga folja hebraike ‘zakar’, nuk do të thotë kujtim i rëndomtë
i një ngjarjeje të së kaluarës, por ‘kremtim’, që e bën të pranishme atë ngjarje,
në mënyrë që të përsërisë forcën e saj shëlbuese . Këtë nënvizoi Papa, duke hapur
takimin dioqezan të Romës. Në lashtësi, kujtoi, hyjnive u flijoheshin kafshë ose fryte
të tokës; ndërsa Jezusi flijon vetveten, bëhet ajo flije, që liturgjia ofron në Meshën
Shenjte. E ne të gjithë e dimë se buka e vera bëhen Korpi e Gjaku i Tij i vërtetë. Benedikti
XVI theksoi se kjo prani reale duhet të zërë vendin kryesor në punën për edukimin
në fe të fëmijëve e të të rinjve, si dhe në qendrat e dëgjimit. Është e nevojshme,
vijoi Papa, që në liturgji të theksohet përmasa e mbinatyrshme, ajo e Misterit, që
ndriçon edhe përmasën horizontale, domethënë lidhjen e bashkimit ndërmjet atyre, të
cilët i përkasin Kishës. Në të vërtetë, shpjegioi Benedikti XVI, kur mbizotëron kjo
e fundmja, nuk mund të kuptohet plotësisht bukuria e misterit të kremtuar. Më pas
Papa u ndal tek rëndësia që ka pjesëmarrja në Meshë: “Është shumë
e rëndësishme, për ne të krishterët, të ndjekim këtë ritëm të ri të kohës, të takohemi
me të Ringjallurin të dielën e kështu ta marrim me vete këtë prani, që të na shndërrojë
ne e ta shndërrojë edhe kohën tonë”. Ati i Shenjtë i ftoi meshtarët ta
kremtojnë me gjithë shpirt Meshën e ta ndjejnë thellë vlerën e adhurimit eukaristik.
Eukaristia është ajo, që e shndërron një grup të rëndomë, në bashkësi kishtare e duhet
të jetë struktura bazë, mbi të cilën mbështetet e gjithë jeta e bashkësisë famullitare: “I
porosis të gjithë të kujdesen sa më mirë, edhe përmes grupeve të posaçme liturgjike,
për përgatitjen e kremtimit të Eukaristisë, në mënyrë që të gjithë ata, të cilët marrin
pjesë në Të, ta takojnë Zotin”. Duke u ushqyer me Korpin e Tij, vijoi Papa,
çlirohemi nga leqet e individualizmit e bëhemi një gjë e vetme. Kështu kapërcehen
ndryshimet e profesionit, të shtresës, të kombësisë. E kështu, të gjithë e ndjejmë
veten bij të të njëjtit Atë. Përmes ushqimit me Korpin e Krishtit, fitojmë edhe jetën
e re në Zotin. Kështu mund të heqim dorë nga logjika e botës e të ndjekim logjikën
e dhurimit pa kurrfarë interesi: “Dashuria e krishterë është në gjendje
të lindë një ndryshim të vërtetë e të vazhdueshëm të shoqërisë, duke vepruar në mendjet
e në zemrat e njerëzve, e kur jetohet vërtetësisht, bëhet forcë kryesore, që i jep
shtytje zhvillimit të çdo njeriu e të mbarë shoqërisë”. Roma ka nevojë
për një dëshmi më të qartë e më bindëse. Prandaj Papa u shprehu mirënjohjen të gjithë
atyre, të cilët kujdesen për të varfërit e për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë.
Kremtimi eukaristik, nënvizoi, që nuk të shtyn t’i takosh njerëzit, atje ku jetojnë,
punojnë e vuajnë, për t’u çuar dashurinë e Zotit, nuk është jetuar me thellësinë e
me vërtetësinë e duhur. Ne duhet t’i ofrojmë trupat tonë si flije shpirtërore e pëlqyer
nga Zoti në ato rrethana, që kërkojnë ta bëjmë të vdesë unin tonë. Në një kohë krize
ekonomike e shoqërore, duhet të jemi solidarë me ata, që jetojnë në skamje. Duhet
t’u çojmë të gjithëve shpresën për një të nesërme më të mirë e më të denjë për njeriun.
Por natyra e dashurisë kërkon edhe flijimin e gjithë vetvetes në shërbim të Zotit
e të njeriut. Prandaj Papa i nxiti të rinjtë të mos kenë frikë ta duan Krishtin në
meshtari e në formimin e familjeve të krishtera, që e jetojnë dashurinë besnikërisht,
deri në fund, duke i hapur rrugën jetëve të reja.
Para se të fillonte fjalimin,
Papën, e përshëndeti kardinali mëkëmbës, Agostino Valini i cili, në emër të dioqezës
së Romës, i shprehu afërsinë e të gjithëve për vuajtjen e këtyre muajve si dhe mirënjohjen
për thirrjen ungjillore që ta luftojnë mëkatin, të keqen shpirtërore e cila, për fat
të keq, theksoi, nganjëherë prek rëndë edhe njerëzit e Kishës.