2010-06-15 15:56:46

Sinodi për Lindjen e Mesme: intervistë me atë Samir Khalim Samir, ekspert i kulturës arabe dhe islame


(15.06.2010 RV)Pas udhëtimit të Papës Benedikti XVI në Qipro, gjatë të cilit u dorëzoi ipeshkvijve “Instrumentum laboris”, dokumentin e punës për Sinodin e ardhshëm mbi Lindjen e Mesme, përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare. Sinodi, që do të zhvillohet në tetor në Vatikan, ka si qëllim kryesor inkurajimin e përforcimin në fe të pakicave të krishtera në rajon. Por si ka ndryshuar gjendja e të krishterëve në Lindjen e Mesme, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit? Të dëgjojmë jezuitin atë Samir Khalil Samir, pedagog i historisë së kulturës arabe dhe të Islamologjisë në Universitetin e Shën Jozefit në Bejrut e në Institutin Papnor Lindor në Romë:
Fakti më i dukshëm është zvogëlimi i numrit të të krishterëve gati në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme. Situata është më shqetësuese në zonat e luftës: Palestina dhe Iraku. Por edhe në situata të tjera, kemi të njëjtat pasoja pak a shumë. Fakti që Lindja e Mesme zien gjithnjë, është gjithnjë e paqëndrueshme, bën që të krishterët të vuajnë të parët pasojat, pasi janë pakicë e nuk kanë mbrojtje nga qeveria. Së fundi, aspekti më shqetësues për të ardhmen është shtimi i radikalizmit islamik. Fakti që politika e feja janë lidhur pazgjidhshmërisht, fakti që në Egjipt, Sharia është bërë normë për të vendosur mbi gjithçka, pasi bën pjesë në Kushtetutë, do të thotë se jemi nën ligjin islamik, pavarësisht se jemi të krishterë. Në disa pika, ky ligj është krejtësisht i kundërt me Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, prandaj, edhe një herë, askush nuk na mbron. Madje, sulmi mund të jetë fizik, ushtarak, ose jo i drejtpërdrejtë: ekonomik, politik, burgosje etj….
Meqë përmendët rritjen e radikalizmit islamik, në Dokumentin e punës për Sinodin dënohet islami politik, por bëhet thirrje edhe për dialog e bashkëpunim ndërfetar. Si mund të pajtohen këto dy aspekte?
Kritika është edhe në favor të islamit. Duhet ta kuptojmë mirë qëllimin e Sinodit e të të krishterëve në përgjithësi: nuk është lufta kundër “çdo gjëje”, por kundër së keqes, kudo që të gjendet ajo: në zemrën e të krishterit, apo të të tjerëve, qofshin këta myslimanë, hebrenj, ateistë, apo institucione. Islami politik është një e keqe; është keq për myslimanin në radhë të parë. Do të thotë që, në emër të fesë, unë vendos se kë të fus në burg, kë të vras, e me çfarë preteksti. Në emër të Sharisë. Këto janë shprehje të islamit politik, duke përfshirë edhe dhunën, që shohim përditë. Kjo dhunë në Irak, në Palestinë, në Pakistan, në Afganistan, nuk është thjesht kundër të krishterëve: është kundër qytetarëve, shumica e të cilëve janë myslimanë. Kritika, që i bëhet islamit politik, është se në vetvete, ai nuk pajtohet me konceptin e qytetarit modern, prandaj themi: është i papranueshëm, sepse heq lirinë, heq demokracinë, pasi lejon lehtësisht teokracinë, ose autokracinë. Atëherë, pse flasim për “dialog”? Sepse aty është krejt qëllimi, te dialogu! Plani i krishterë, ashtu siç nënvizohet në Sinod, është të ndërtojmë sëbashku një qytet për njeriun: myslimanët, që janë shumica, bashkë me të krishterët, hebrenjtë, ateistët… Mbrojmë lirinë e njeriut, njeriun vetë. Nuk mundemi të luftojmë njeriun, në emër të Zotit. Sharia nuk mund të kalojë në plan të parë. Është njëlloj sikur ne të krishterët të themi: e drejta kanonike e kapërcen Kushtetutën. Jo! Duam një shoqëri, që t’i afrohet demokracisë së vërtetë dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, kur organizohet një plan politik, në emër të Zotit, që shkon kundër kësaj, pa dyshim që do ta luftojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.