Papa hap Kuvendin e dioqezës së Romës mbi “Eukaristinë e së dielës dhe dëshminë e
dashurisë”.
Papa Benedikti XVI merr sot pjesë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në hapjen
e Kuvendit dioqezan të Romës, me rastin e mbylljes së vitit baritor. Ngjarja kishtare
përqendrohet mbi temën: “Atyre iu hapën sytë, e njohën dhe e kumtuan. Eukaristia e
së dielës dhe dëshmia e dashurisë bamirëse”. Kuvendi dioqezan hapet me fjalimin
e kardinalit Vikar për Romën, Agostino Vallini. Pas fjalimit të Atit të Shenjtë
Benediktit të XVI, flet edhe drejtori i Zyrës Katekistike e Shërbimit për Katekumenët
pranë Vikariatit të Romës, mons. Andrea Lonardo, i cili ofron një përmbledhje të të
gjitha asambleve të bashkësive famullitare mbi misionin e Kishë në këtë qytet. Kuvendi
dioqezan i Romës është një ndër momentet e rëndësishme që e bashkon Kishën në Romë
në muajin qershor, por edhe është një çast i organizimit si dhe i dëshmisë së bamirësisë
ungjillore ndaj çdo personi. Temat kryesore janë dy: liturgjia e dashuria. Afrimi
i të rinjve në kremtimet liturgjike dhe gjallëria e bashkësisë kishtare që buron pikërisht
nga kjo gurrë hiri Hyjnor që është Eukaristia.