2010-06-14 15:32:56

Çmim mysliman për meshtarin katolik


(14.06.2010 RV)Të premten e kaluar në Xhakartë të Indonezisë, meshtari katolik, atë Vinçencius Kirjito mori një çmim mysliman për misionin e paqes e të pajtimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, për krijimin e harmonisë ndërmjet njerëzve dhe për mbrojtjen e ekosistemit të vullkanit Merapi. Prifti 56 vjeçar, gjatë 12 vjetëve të fundit, e ka ndihmuar popullsinë të shfrytëzojë zonën përreth vullkanit, pa e cënuar ekologjinë e tij. Ky vullkan ka shkaktuar gjithnjë dëme e viktima në vite.
Atë Vinçencius Kirjito lindi më 18 nëntor 1953 në Kulon Progo, provincë e Jugjakartës, dhe u shugurua meshtar më 25 janar 1984. Filloi si famullitar në një zonë bujqësore e për pesë vjet promovoi edukimin bazë mbi temat ambientale e të ekosistemit të vullkanit Merapi, një nga më të rrezikshmit e ishujve Java. Gjithsesi, ai është edhe burim i rërës vullkanike, prandaj ka shumë kantiere të hapura. Kohët e fundit, mbi të kanë futur kthetrat kompanitë shumëkombëshe, duke ndryshuar krejtësisht ekuilibrin e brishtë të këtij ambienti. Mbrojtja e zjarrtë e meshtarit katolik për këtë burim të rëndësishëm natyror, ngjalli respektin e të gjitha bashkësive të tjera fetare, deri në dhënien e këtij çmimi, nga ana e bashkësisë myslimane të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.