2010-06-14 16:31:14

Papa Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës: vlerat e krishtera janë motori për progresin e vërtetë ekonomik e shoqëror.


(14.06.2010 RV)Përballë krizës ekonomike, duhet të rinisemi nga vlerat e krishtera, motor i vërtetë për zhvillimin e njëmendtë: janë fjalët e Benediktit XVI drejtuar pjesëmarrësve të takimit të 45-të të Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, të cilët i priti këto ditë në Vatikan. Papa i ftoi popujt e Kontinentit të vjetër të mos i harrojnë rrënjët e tyre të krishtera. Më pas uroi që vëllazërimi e logjika e dhurimit të gjejnë gjithnjë më shumë hapësira të reja në zhvillimet ekonomike e financiare, nën shenjën e solidaritetit ndaj atyre, që janë më nevojtarë.
Ngjarjet politike, që ndodhën në Evropë në fund të shekullit të kaluar, kujtoi Benedikti XVI, i krijuan Kontinentit kushtet e nevojshme për të marrë frymë me të dyja mushkëritë, e, megjithatë, vërejti më pas, mbetet ende shumë për të bërë, që një frymëmarrje e tillë e shëndetshme të vihet vërtetë në jetë. Natyrisht nuk mund të mohohet se janë thelluar shkëmbimet ekonomiko-financiare ndërmjet lindjes e perëndimit të Evropës, por, pyeti Benedikti XVI, a mund të themi se kjo solli progresin e vërtetë njerëzor?
“La libération d’idéologies totalitaires...”
Çlirimi nga ideologjitë totalitare, vijoi të pyesë Papa, a nuk u përdor njëanshmërisht vetëm për progresin ekonomik, në dëm të një zhvillimi më njerëzor, që duhet të respektonte dinjitetin e finikërinë e njeriut? A nuk u harruan ato pasuri shpirtërore, që modeluan identitetin evropian? Aktualisht, vijoi Papa, Evropa e bota po kalojnë çaste të rënda krize ekonomike. Por, nënvizoi, kjo situatë nuk duhet vlerësuar vetëm përmes analizës financiare. Kujtoi, më pas, Enciklikën ‘Caritas in Veritate’, përmes së cilës vë në dukje se dashuria për Zotin e për të afërmin është motori më i fuqishëm, i aftë për t’i siguruar energjinë e duhur ambientit shoqëror, politik dhe ekonomik. Duke pasur parasysh Doktrinën Shoqërore të Kishës, Papa vuri në dukje se lidhja ndërmjet dashurisë e së vërtetës, është forcë e gjallë, që përtërin tërësinë e lidhjeve ndërpersonale, për ta orientuar jetën ekonomike e financiare në shërbim të njeriut e të dinjitetit të tij:
“C’est là le seul capital qu’il convient…”
Ky, pohoi Ati i Shenjtë, është i vetmi kapital, që meriton të shpëtohet; e në këtë kapital gjindet përmasa shpirtërore e njeriut. Ekonomia e financa, theksoi me forcë, nuk ekzistojnë si qëllim në vetvete. Nuk janë tjetër, veçse mjet. Krishterimi, shtoi më tutje, i krijoi Evropës kushte për të kuptuar ç’do të thotë liri, përgjegjësi, etikë, parime, këto, mbi bazën e të cilave u hartuan ligjet e u ngritën strukturat e saj shoqërore:
“Marginaliser le Christianisme…”
Ta kufizosh krishterimin, edhe përmes përjashtimit të simboleve, që e bëjnë të dukshëm, kujtoi Papa, do të thotë të kontribuosh për ta shkëputur Kontinentin tonë nga zanafilla, nga rrënjët, të cilat e ushqejnë pambarimisht e i dhurojnë identitetin e tij të vërtetë. E kjo, sepse krishterimi është burim vlerash shpirtërore e morale, që përbëjnë trashëgiminë e përbashkët të popujve evropianë. Vlera këto, me të cilat lidhen ngushtë Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, gjë që gjeti shprehjen në Hyrjen e Statutit të organizmit kontinental. Duke pohuar natyrën shoqërore të Bankës së Zhvillimit, Benedikti XVI u ofroi të pranishmëve një reflektim mbi vëllazërimin në ekonomi:
“La fraternità permet des espaces de gratuité…”
Vëllazërimi, vërejti, krijon hapësira për shërbim pa asnjë interes që, ndonëse janë të domosdoshme, nuk mund të realizohen lehtë në një shoqëri, e cila vlerëson vetëm aftësinë prodhuese e fitimin. Megjithatë, vijoi, një dualizëm i tillë nuk është absolut, as i pakapërcyeshëm. Prandaj është e nevojshme të punohet me një logjikë, që i bën njerëzit, e më saktësisht, familjet e atyre që kanë nevojë, qendër e qëllim të ekonomisë. Në Evropë, kujtoi Papa, ekziston një e kaluar, në të cilën nuk mungon përvoja e zhvillimit ekonomik, të bazuar mbi vëllazërimin, siç e dëshmojnë ndërmarrjet shoqërore të ndihmës së ndërsjelltë. Duhet, prandaj, të rikthehemi tek bujaria e fillesës. Papa theksoi, në vijim, se Selia e Shenjtë bën pjesë në Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës, që nga viti 1973. Ky institut, pohoi më pas, është i thirrur të zbulojë hapësirat, në të cilat mund të gjejnë shprehjen e vet vëllazërimi e logjika e dhurimit.
 Këtë impenjim e nxiti edhe kardinali Tarçizio Bertone, në hapje të takimit të Bankës, që u mbajt pasditën e së shtunës së kaluar. Në përshëndetjen e tij, Kardinali nënvizoi se për herë të parë Instituti financiar e mban takimin e vet në Vatikan. E, në vijim, e ftoi Bankën të luajë rol themelor në rrethanat e krizës së sotme ekonomiko-financiare. Selia e Shenjtë, kujtoi më pas, e ka favorizuar gjithnjë procesin e bashkimit të Evropës. Edhe sot, pohoi, Kisha katolike impenjohet për ndërtimin e një Evrope, të bazuar mbi idealet e Etërve themelues: vëmendje kryesore për njeriun, stabilitet, solidaritet!







All the contents on this site are copyrighted ©.